Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Enver Hoxhaj, ka bërë sot vizitë në Mitrovicën e veriut, derisa thotë se do të jenë vet zëri i tyre për të vendosur drejtësi për shqiptarët që pësuan nga terrori serb.
Tutje Hoxhaj thekson se për shqiptarët që aktualisht jetojnë në veri, e që duan të kthehen në pronat e tyre, plani i PDK-së do të ndajë fonde për rindërtimin e shtëpive dhe më gjerë, njofton Klan Kosova.
”Në Mitrovicën e Veriut, aty ku para 21 vjetësh, më 3 dhe 4 shkurt 2000, u vranë 10 shqiptarë, u plagosën 25 dhe mbi 10 mijë u shpërngulën, pas dhunës dhe terrorit serb në sy të ndërkombëtarëve.
Ne do të jemi zëri i tyre dhe do të gjejmë rrugë për të vendosur drejtësi. Ndërsa, për familjet shqiptare që jetojnë aktualisht në veri apo që duan të kthehen në pronat e tyre, #Rimëkëmbje do të ndajë edhe fonde për rindërtimin e shtëpive, për zhvillimin e bujqësisë, për punësimin dhe krijimin e ndërmarrjeve të vogla si biznese familjare.
Ne po vazhdojmë atë që e nisi Hashim Thaçi, Bajram Rexhepi e Ali Kadriu, me përkrahjen edhe të Kadri Veselit. Çdo shtëpi do të rindërtohet në veri. Ky është synimi jonë dhe vetëm me PDK-në në qeverisje këto plane jetësohen”.