Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka quajtur dinjitoze, paraqitjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Gjykatën Speciale.
Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj, ka thënë se kjo paraqitje është vazhdim i përpjekjeve të tij për forcimin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Postimi i plotë:
Në Hagë, sot nuk filloi një proces kundër Hashim Thaçit, por një proces gjyqësor kundër lirisë së Kosovës, pavarësisë, sakrificës së popullit tonë dhe luftës çlirimtare! Lufta jonë mbrojtëse u bë nga populli Kosovës! Atje po gjykohet populli i Kosovës!
Hashim Thaçi, deri më sot iu ka prirë betejave. Asaj për liri, asaj për pavarësi, asaj për shtetndërtim. Kjo është beteja e radhës dhe jo e fundit që Hashim Thaçi do t’i prijë, për të dalë sërish fitues. Për të dalë fituese Kosova!
Prandaj, paraqitja dinjitoze e Presidentit Thaçi në Dhomat e Specializuara për Kosovën është vazhdim i përpjekjeve të tij për forcimin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
E di që do ta mbash premtimin! Mirupafshim miku im!