Kryetari i PDK-së, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj ka mbajtur sot konferencë për media ku prezantuar nënshkrimin e koalicionit me Lëvizjen për Drejtësi, të Sylejman Çerkezit për të garuar nën logon e PDK-së.
Hoxhaj ka thënë se me Lëvizjen për Drejtësi i bashkojnë vlerat e përbashkëta ideologjike dhe familjare.
“Me Lëvizjen për Drejtësi na bashkojnë vlerat familjare, ideologjike dhe fetare dhe platfoma jonë qeverisëse është edhe ajo për rimëkëmbje kombëtare. Dua t’i uroj z. Sylejman Çerkezi mirëseardhje në listën e PDK-së për kandidat për deputet nga Lëvizja për Drejtësi.”
Në anën tjetër, duke falënderuar Hoxhajn për bashkëpunimin ka thënë se PDK dhe Lëvizja për Drejtësi janë dy parti të djathta dhe se Rimëkëmbja është e rëndësishme jo vetëm si sllogan, por që është koha e rimëkëmbjes dhe e kthimit të dinjitetit të Kosovës në sferën ndërkombëtare.
“Objektivat dhe synimi ynë është i përbashkët është rimëkëmbja. Kosova po kalon sfida të vështira, ka nevojë për burrështetas me vizion të caktuar. Nuk mund të bëjmë eksperimente”, ka thënë Çerkezi.
Tutje, Hoxhaj duke i uruar mirëseardhje Shyqiri Bytyqit, i cili i është bashkuar sot Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se vendi ka nevojë për rimëkëmbje të mirëfilltë ekonomike ne PDK-ja mund ta rimëkëmbë vendin dhe ta nxjerrë prej krizës vetëm atëherë kur të kemi njerëz të fushës që me ide, me propozime, me alternativa do të ndikojnë që programi i Partisë Demokratike të jetë programi më i mirë për ta ndryshuar Kosovën.
“Shyqiriu është një ndër kuadrat më të mirë që ka Kosova dhe një profesionit i veçantë i fushës së ekonomisë jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë. Ai i njeh shumë mirë politikat tatimore. Platforma jonë qeverisëse është rimëkëmbje dhe rimëkëmbja fillon prej rimëkëmbjes ekonomike dhe Shyqiriu do të jetë pjesë e ekipit që i takon zhvillimit ekonomik.”, ka thënë ai.
Shyqiri Bytyqi ka falënderuar Hoxhajn për mirëpritjen dhe ka thënë se me ekipin e rimëkëmbjen do të ecet përpara pa harruar duke i çmuar vlerat e së kaluarës.
“Sot është nder dhe respekt që të jem në familjen e madhe të PDK-së dhe të rikthehem në një ekip intelektual dhe profesional i gatshëm të marrë përgjegjësi për sfidat që e presin vendin tonë.”, ka thënë Bytyqi.