Hoxhaj prezanton ardhjen e profesorit Arben Fetoshi në PDK: Profesionist, që vjen nga një familje atdhetare

Kryetari i PDK-së, njëherësh kandidati për kryeministër të Kosovës, Enver Hoxhaj ka mbajtur konferencë për media, ku ka prezantuar ardhjen e profesorit të gazetarisë, Arben Fetoshi, i cili i është bashkuar sot PDK-së.

Hoxhaj duke i uruar mirëseardhje Fetoshit ka theksuar se bashkimi i këtij të fundit dhe personaliteteve tjera para tij është dëshmi e hapjes së PDK-së dhe e besueshmërisë së saj tek intelektualët. 

“Arben Fetoshi është doktor i shkencave të Gazetarisë dhe aktualisht ligjëron në Universitetin e Prishtinës, gjersa më herët ka ligjëruar edhe në universitete të tjera. Ai punon në Radio Kosovë, kurse më herët ka punuar edhe në media të tjera si Radio Evropa e Lirë, si dhe ka qenë redaktor e drejtor i Radio Kosovës. Si student, Fetoshi ka qenë nismëtar i bashkimit mes UÇK-së dhe LKÇK-së në maj të vitit 1998. Po ashtu, Arbeni vjen nga një familje e veçantë patriotike, është nipi i Ukshin Hotit, intelektualit dhe patriotit të rrallë të kombit dhe ardhja e tij në PDK është ardhje e natyrshme në një parti që është ngritur mbi themele të shëndosha të veprimtarisë së të burgosurve politikë dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare”, ka thënë ai.

Tutje, Hoxhaj është shprehur se pas një viti të dëshpërimit qytetar me partitë që e prezantuan veten si shpresë për qytetarin, por që ishin në krye të dy qeverive të dështuara, PDK-ja po rikthehet fuqishëm si adresa e vetme që shtyn përpara çështjet madhore të shtetit dhe të interesit të qytetarëve. Ai ka ftuar intelektualë të tjerë t’i bashkohen PDK-së për rimëkëmbje të dinjitetit të Kosovës.

“Në këtë kohë krize ekonomike, PDK-ja është adresa e vetme e rimëkëmbjes ekonomike.Në këtë kohë krize shëndetësore, PDK-ja është adresa e vetme e rimëkëmbjes së shëndetësisë. Në këtë kohë krize kombëtare, PDK-ja është adresa e vetme e rimëkëmbjes kombëtare. Prandaj, përmes kësaj konference i bëj thirrje intelektualëve të rinj, shkollarëve që po kthehen nga universitetet ndërkombëtare, që t’i bashkohen PDK-së në projektin e madh të rimëkëmbjes së përgjithshme të Kosovës. Sot, sikurse me aderimet e mëparshme, nuk po aderon thjesht Arbeni si emër konkret. Ky është aderim i një fryme të re, i kërkesave nga baza, për një rimëkëmbje të dinjitetit të Kosovës. Ky është sinjal që PDK-ja po hapet ndaj ideve të reja dhe që qytetarët po e shohin si adresën e vetme që do ta mundësojë këtë rimëkëmbje”, ka thënë Hoxhaj.

Arben Fetoshi duke falënderuar Hoxhajn për pritjen ka thënë se vendimi i tij për t’iu bashkuar PDK-së dhe ekipit të kryeministrit në ardhje është vendimi më i drejtë që ka marrë, me shpresën që sfida e zgjedhjeve të 14 shkurtit të nisë një fazë të re për politikën e vendit dhe për më shumë përkushtim. 

“Angazhimet e mia të ardhshme publike kam vendosur që t’i fokusoj në sferën më komplekse të komunikimit ku përcaktohen orientimet dhe dinamikat e zhvillimeve shoqërore dhe mbi këtë bazë adresa më e rëndësishme në sferën e zhvillimeve politike ka qenë dhe mbetet PDK-ja për shumë arsye e unë do ta veçoja atë që PDK është forcë politike e hapur që asnjëherë nuk ka kalkulauar për një diskurs manipulativ me vija të kuqe apo tjera dhe PDK-ja për mua përfaqëson vetëdijen shtetërore si artikulim politik i vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Fetoshi.