Kandidati për kryeministër nga PDK, Enver Hoxhaj, ka pohuar se Lëvizjen Vetëvendosje nuk e shohin si partner në qeveri.
“Nuk hymë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje meqë kemi dallime të mëdha. Nuk mund të hymë në koalicion me një parti politike që Shtëpisë së Bardhë i thotë herë e kuqe herë e verdhë”, është shprehur Hoxhaj, njofton Klan Kosova.
“Nuk kemi vija të kuqe me asnjë parti politike, por kemi parime. Nuk mund të hymë në koalicion pa parime të qarta, me asnjë subjekt politik sepse këtë e kemi provuar me disa subjekte politike. Nuk pranojmë nga të tjerët politikë joparimore dhe sjellje jo shtetërore sikurse kemi parë në këto vitet e fundit”.
Hoxhaj ka thënë se PDK do të jetë ajo që do ta drejtojë Qeverinë e re, për të cilën ajo vet do ta zgjedhë partnerin për qeverisje.
“Jemi shumë të qartë sepse kemi dallime të mëdha, politike, ideologjike, programore. LVV demonizon sektorin privat, do që t’i rrisë taksat dhe këto janë çështje të rëndësishme. Qeverinë e udhëheqim ne. Sikurse kemi përzgjedh partnerët nga viti 2007 deri më 2019, edhe pas 14 shkurtit PDK do t’i përzgjedh partnerët”.