Hoxhaj: Nëse kërkohen votat për president, kandidati duhet të jetë i propozuar nga PDK-ja

Partia e Demokratike e Kosovës ende nuk ka marrë ftesë nga partitë e mazhorancës për ndonjë takim për të diskutuar në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri. 

Kryetari në detyrë i kësaj partie, Enver Hoxhaj thotë se PDK është nuk do të japë vota për ndonjë kandidat tjetër pos kandidatit të tyre për president. 

Madje thotë se emri për këtë post duhet të kalojë në kryesinë e PDK-së, ashtu siç ka thënë kryetari i LDK-së se kandidati për president kalon nëpër zyrat e kësaj partie.

“Nëse kërkohen votat e PDK-së, kandidati duhet të jetë i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, duhet të kalojë nëpër tavolinën e kryesisë së PDK-së. Por nëse partitë tjera parlamentare në Kuvend mund të merren vesh dhe ta zgjedhin presidentin pa votat tona ne jemi në rregull”, ka thënë Hoxhaj.

Tutje, ai tha se aktualisht është koha që PDK të nderohet me ndonjë kandidat nga partia e saj.

“Sa i përket interesit shtetëror, partitë në koalicion do të duhej ta shtrojnë temën politikisht dhe moralisht në një mënyrë të tillë që të thonë se presidentit Thaçi i është ndërprerë mandati dhunshëm, po kërkojmë votat e PDK-së dhe është koha që ta nderojmë PDK-në me një kandidat të saj”, ka thënë Hoxhaj në TV Klan.

Hoxhaj gjithashtu tha se nuk pretendon të bëhet president, por në parti nuk është diskutuar për emra të tjerë.

Unë e kam një detyrë të re e cila është e vështirë dhe e rëndë që ma ka bartur kryetari i partisë dhe ma ka besuar kryesia, në asnjë situatë nuk  kam menduar që do të jem kandidat, por nuk është folur edhe për emra të tjerë deri më tash pasi nuk ka pasur situatë konkrete që të flasim”, thotë Hoxhaj.

I pari i PDK-së nuk e sheh me interes të qytetarëve të Kosovës që të organizohen zgjedhje të reja në këtë kohë pandemie.