Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë në një diskutim virtual me Kongresin Panshqiptar Amerikan (KPA) për rreziqet e dialogut Kosovë – Serbi.
Këtë e ka bërë të ditur Hoxhaj, përmes një postimi në Facebook ku ka falënderuar themeluesit dhe anëtarët e këtij kongresi i për angazhimin serioz dhe konkrekt për shqiptarët dhe për Kosovën.
“Duke folur për dialogun Kosovë – Serbi, unë ritheksova qëndrimin e PDK-së se Kosova duhet të jetë aty ku është Amerika. Fatkeqësisht, Qeveria e Kosovës, si përgjegjëse për dialogun, sot është pa një platformë që ngërthen në vete parimet, qëllimet, afatet kohore dhe vijat e kuqe të dialogut. PDK pret një platformë të tillë në Kuvendin e Kosovës, si vendin e vetëm ku duhet të flitet dhe të merren vendime në lidhje me këtë çështje”.
Ai thotë se Kosova rrezikon të mbetet si një entitet territorial duke humbur kapacitetin e mirëfilltë për të qenë akter i barabartë si shtetet tjera – nëse Qeveria e Kosovës nuk e ka seriozisht anëtarësimin e saj në OKB dhe kjo do të ishte humbje e një rasti historik për ta përmbyllur shtetndërtimin e Kosovës.
“Rreziku i dytë që paraqitet është autonomia për serbët e Kosovës dhe statusin e ekstraterritorialitetit për Kosovën, që do të shkatërronte përbrenda shtetësinë tonë. Kjo do të forconte pozitën e shtetit serb në Kosovë, ngjashëm si në Bosnje. Prandaj, duke parë sfidat, rreziqet dhe paaftësinë e Qeverisë së Kosovës për t’u ballafaquar seriozisht me këtë çështje, si kryetar i PDK-së kërkova edhe nga Kongresi Panshqiptar lobimin e mëtejshëm në Ëashington, si adresën historike në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai njofton se Kongresin Panshqiptar Amerikan u dakorduan që të vazhdojnë thellimin e bashkëpunimit dypalësh drejt përfundimit të shtetësisë së Kosovës dhe afrimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës