Enver Hoxhaj, ish-ministri i jashtëm, ka thënë se partia të cilës ai i takon, PDK, është e gatshme që menjëherë pas pandemisë të shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Ai, gjithashtu ka komentuar deklaratat e ish-kryeministrit Albin Kurti, ku ka thënë se është përpjekur të krijojë një opinion të rrejshëm se SHBA-të e kanë larguar nga pushteti.
I pyetur nëse PDK i qëndron kërkesës për zgjedhje të parakohshme pas pandemisë, Hoxhaj deklaroi: “Si çdo kund opozita kërkon zgjedhje të parakohshme dhe ne jemi në opozitë dhe kërkojmë zgjedhje të parakohshme. Në momentin kur të përfundoi pandemia, PDK është e gatshme që të ketë zgjedhje të parakohshme.”
Duke komentuar marrëdhëniet Kurti-SHBA, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj në Euronews Albania tha se ish-kryeministri është përpjekur të krijojë një opinion të rrejshëm se SHBA-të e kanë larguar nga pushteti.
“Kjo nuk qëndron. Z. Kurti realisht e ka përfunduar karrierën e tij politike si kryeministër me vullnetin e LDK meqë nuk ka ditur të menaxhojë situatën ku ka qenë përgjegjës. Ndoshta ka pasur ndonjë kalkulim të tij që nëse nuk merr përgjegjësi për pandeminë dhe dialogun mund të rikthehet dhe më fuqishëm”, tha Hoxhaj.
Sa i takon idesë për një shkëmbim të mundshëm të territoreve mes dy vendeve, Hoxhaj tha se qëndrimi i PDK-së është kundër. “Qasja jonë është që shtet ndërtimi i Kosovës të përmbyllet me kufijtë e shpalljes së pavarësisë. Shkëmbimi i territorit është i papranueshëm. Nuk pranojmë një marrëveshje të keqe për Kosovën”, u shpreh ish-ministri i Jashtëm.
Ish-kreu i diplomacisë tha më tej se, mirëpret Miroslav Lajçka si përfaqësues special i BE në dialogun Prishtinë-Beograd, por nga ana tjetër dënoi deklaratat e fundit të Josep Borrel, përfaqësuesit të lartë të BE për Politikat e Jashtme.
“Nëse do të varej nga z. Lajçak, Sllovakia do ta njihte pavarësinë e Kosovës, siç kanë njohur pasaportat e Kosovës dhe na kanë mbështet disa herë që të anëtarësohemi në mekanizma. Ajo që ka thënë Borrelli ka qenë e dëmshme për Kosovën dhe politikisht e papjekur. Ne presim që BE të ketë qartësim në qasjen e dialogut dhe të jetësojnë qasjen e 8 viteve të fundit. Unitet transatlantik SHBA-BE për përmbylljen e dialogut Kosovë-Serbi në favor të Kosovës, pasi kemi kundërshtarë të mirëfilltë strategjikë”, përfundoi Hoxhaj.