Hoxhaj: Dje në mbledhjen e kryesisë s’pati vullnet që të mbështetet Vjosa Osmani për presidente

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, është deklaruar para takimit me Këshillin Drejtues të kësaj partie.

Hoxhaj tha se në këtë takim do të diskutohet për rezultatin e zgjedhjeve dhe për riorganizimin e PDK-së.

“Sot e kemi një mbledhje të Këshillit Drejtues që është e rregullt. Mbledhjen e fundit e kemi pasur në dhjetor dhe çdo tre muaj e kemi një të tillë. Agjenda jonë është që të diskutojmë për rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, cilët ishin faktorët që sollën atë rezultat zgjedhor që mori PDK-ja dhe mbi të gjitha të bisedojmë për atë që se si ne si PDK do të duhej të dalim me një koncept të ri politik si i qasemi elektoratit, qytetarit dhe se si ta riorganizojmë PDK-në në nivel të degëve dhe nëndegëve. PDK-ja do të jetë një opozitë e vendosur dhe një front i Qeverisë që do të formohet javën e ardhshme”.

“Kjo mbledhje nuk është asgjë tjetër veçse një dialog i brendshëm i PDK-së – as nuk ka iniciativë, as nuk ka vendim për shkarkime”.

I pari në detyrë i PDK-së tha se partia që ai drejton do të rikthehet si e para në vend.

“Kjo ka treguar që PDK-ja ka lidership dhe kapacitet që do ta udhëheqë veten e saj rreth tokës së premtuar që në politikë i thonë fitore. Ne do të rikthehemi në pushtet, do të bëhemi subjekti i parë politik në vend, por qytetarët e Kosovës më 14 shkurt e kanë mandatuar Albin Kurtin që të formojë qeverinë dhe mua më kanë mandatuar që të qëndrojë në opozitë”.

Hoxhaj foli edhe për votat që PDK-ja mund t’i japë për Vjosa Osmanin presidente. Ai e konfirmoi se për një gjë të tillë nuk ka marrë mbështetje në kryesinë e partisë.

“Ne dallojmë prej subjekteve të tjera politike. Unë nuk i marr vendimet as në këtë konferencë e as në studiot televizive, por në organet e PDK-së. Dje në mbledhjen e Kryesisë nuk ka pasur vullnet për një gjë të tillë, por ta shohim sot me Këshillin Drejtues”.