Hoxha Osman Musliu dhe Sekretari i Bashkësisë Islame në Drenas janë përleshur fizikisht gjatë ditës së djeshme. Të njëjtit janë arrestuar dhe pas intervistimit janë liruar.
Këtë e ka konfirmuar për klankosova.tv zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës Agron Borovci i cili tha se përleshja ka ardhur pas fjalosjes mes personave në fjalë.
“Me datë 24.11.2020, rreth orës 14:30, policia ka marrë informatën për një përleshje të ndodhur brenda një objekti në rrugën “Ilaz Kodra” – në Drenas. Menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para ka ngritur versionin e hetimit se një fjalosje në mes të dy të dyshuarve njëri 48 dhe tjetri 58 vjeç, ka përfunduar ne përleshje fizike mes tyre”.
“Pasi që policia ka kryer veprimet fillestare hetimore përfshire këtu edhe pjesën e intervistimit, me rekomandimin e prokurorit të shtetit të dy të dyshuarve u ka shqiptuar masën e arrestit policor dhe të njëjtit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh për t’u proceduar më pas në përputhje me udhëzimet vijuese të prokurorisë”.
Detaje lidhur me rastin kanë dhënë edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës. Veçse, zëdhënësi i BIK-ut Ahmet Sadriu tha se hoxha Osman Musliu ka shkuar dhe e ka sulmuar sekretarin e Bashkësisë Islame në Drenas në vendin e tij të punës.
“Po, fatkeqësisht rasti ka ndodhur. Mulla Osman Musliu e ka sulmuar fizikisht një punëtor të BIK-ut – bëhet fjalë për sekretarin në Drenas. Ai ka shkuar në zyre dhe e ka sulmuar fizikisht”.
“Ka pasur një fjalosje mes tyre. Ashtu edhe siç është raportuar, Osman Musliu para disa ditësh e ka thyer një derë të zyrës të cilën e ka uzurpuar, pastaj kanë reaguar”.
Sadriu tha se policia i ka ndaluar të dy për 48 orë, por theksoi se të dy janë liruar pas 20 orësh.