Hovenieri me Kurtin: Me bashkëpunimin më të ngushtë, do të lobonim më shumë për Kosovën

Ambasadori në largim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Jeffrey Hovenier, ka thënë në takimin lamtumirës me kryeministrin Albin Kurti se një bashkëpunim i ngushtë do t’ia mundësonte SHBA-së avokimin më efektiv për Kosovën.

Ai ka shkruar në rrjetin social X se kanë diskutuar mbi progresin e Kosovës gjatë mandatit të tij dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.

Sipas Hovenierit, bashkëpunimi “do t’ia mundësonte SHBA-së që të avokojë në mënyrë më efektive që Kosova të zë vendin e saj të merituar në strukturat evropiane dhe euroatlantike”.

“Sot kam zhvilluar një takim lamtumirës me kryeministrin Albin Kurti. Diskutuam progresin e Kosovës gjatë mandatit tim dhe bashkëpunimin e ngushtë që do t’i mundësonte Shteteve të Bashkuara të avokojnë në mënyrë më efektive që Kosova të zë vendin e saj të merituar në strukturat evropiane dhe euroatlantike”, është shprehur Hovenier.

Në një takim ditë më parë, Kurti ishte shprehur se gjatë mandatit të Hovenierit, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë rritur bashkëpunimin në mbrojtje, siguri dhe inteligjencë.