Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka folur sërish për dakordimin me Kosovës dhe Serbisë mbi aneksin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, marrëveshje kjo e propozuar nga Bashkimi Evropian.
Hovenier pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se për SHBA-të është e rëndësishme që ka dakordim për këtë çështje.
Ai ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të punojë me ShBA-në për zbatimin e Asociacionit.
“Ne i mirëpresim të dyja marrëveshjet e arritura. Ne kemi një kërkesë standarde që kryeministri të punojë me ne për zbatimin e Asociacionit”, ka thënë Hovenier para gazetarëve.
Hovenier theksoi se pritjet e ShBA-së mbesin të njëjta, pra zbatimi i të gjitha marrëveshjeve, përfshirë Asociacionin.
“Pritjet e ShBA-së mbesin ato që janë: Të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen përfshirë edhe Asociacionin”, ka shtuar ambasadori.
Ambasadori amerikan sot në një postim në Twitter bëri të ditur se zbatimi i marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, është kritik për zhbllokimin e së ardhmes së Kosovës.
Ndryshe kryeministri Albin Kurti ka takuar sot të gjithë ambasadorët e akredituar në Kosovë.