Hoti: Unë besoj në këtë ekip dhe program

Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se beson në ekipin e tij dhe programin qeverisës. Ai ka shtuar se prioritet do ta ketë pandeminë COVID-19 dhe rimëkëmbjen ekonomike.

“Është një program ambicioz. Unë besoj në këtë program, besoj në këtë ekip. Duhet të adresohen menjëherë sfidat duke filluar nga pandemia, nga rimëkëmbja ekonomike. Do të ndërtojmë një diskurs tjetër edhe brenda këtij kabineti qeveritar edhe brenda partnerëve të koalicionit edhe me partitë”.

Ai ka premtuar se qeveria e re, do ti kthehet punës, e jo retorikave.

“Prioritetet tona përveç luftës ndaj pandemisë e rimëkëmbjes ekonomike, janë forcimi i shtetit ligjor, marrja përsipër në baza kushtetuese e dialogut, adresimi i nevojave në arsim e shëndetësi. Unë pres bashkëpunimin e ngushtë”, ka thënë kryeministri Avdullah Hoti.

Kabineti qeveritar do të këtë përbërje: Besnik Tahiri, zëvendëskryeministër i parë, Driton Selmanaj, zëvendëskryeministër, Albulena Bala – Halimi, zëvendëskryeministre, Goran Rakiq, zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal, Hykmete Bajrami, ministre e Financave, Besjan Mustafa, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vlora Dumoshi, ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Anton Çuni, mbetet ministër i Mbrojtjes, Arban Abrashi, ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit, Agim Veliu, ministër i Punëve të Brendshme, Armend Zemaj, ministër i Shëndetësisë, Blerim Kuçi, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Selim Selimi, ministër i Drejtësisë, Meliza Haradinaj – Stublla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ramë Likaj, ministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Skënder Reçica, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Vesel Krasniqi, ministër i Tregtisë dhe Industrisë, Dalibor Jevtiq, ministër për Kthim dhe Komunitete dhe Enis Kervan, ministër i Zhvillimit Rajonal.