Hoti tregon se cilat ndërmarrje do të ndihmohen pas marrëveshjes 30 milionëshe me BERZH-in


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se marrëveshja e sotme me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në vlerë prej 30 milionë eurove, do t’iu ndihmoj ndërmarrjeve Publike Qendrore dhe Lokale që të kalojnë sa më lehtë këtë periudhe.

Hoti ka thënë tutje se këto ndërmarrje gjatë kësaj faze kanë pasur humbje në të hyrat e tyre deri në 50 për qind si pasojë e pandemisë.

Njoftimi i plotë i kryeministrit:

Edhe një marrëveshje tjetër ndërkombëtare e konkretizuar nga Ministria e Financave.

Ministrja Hykmete Bajrami, ka nënshkruar sot marrëveshje me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Kredia e likuiditetit të urgjencës së infrastrukturës vitale”, në vlerë prej 30 milionë euro. Kredia është e destinuar për Ndërmarrjet Publike Qendrore dhe Lokale dhe do t’u ndihmojë atyre që të kalojnë sa më lehtë periudhën e pandemisë, duke marrë parasysh që shumica e tyre kanë pësuar rënie në të hyra deri në 50% si rezultat i pandemisë.