Hoti: Tema e të pagjeturve nuk është kushtëzuar me personat e zhvendosur në zotimet e 4 shtatorit

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se tema e të pagjeturve nuk është kushtëzuar me personat e zhvendosur në zotimet e 4 shtatorit në Washington – ashtu siç thuhet në kërkesën për interpelancë për këtë çështje.

“Pyetja e juaj e shtruar në këtë interpelancë – “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur” – mendoj që është e pabazë, pasi askund nuk përdoret termi kushtëzim. Këtë term nuk mund ta gjeni në tekstin e marrëveshjes apo zotimeve, dhe as në planin e zbatimit të marrëveshjeve. Nuk bëhet fjalë për asnjë kushtëzim të këtyre dy çështjeve”.

“Pika e 12-të e marrëveshjes, e cila i referohet kësaj çështje, specifikon saktë se të dyja palët zotohen që të përshpejtojnë përpjekjet për të gjetur dhe identifikuar mbetjet e personave të zhdukur. Të dyja palët zotohen që të identifikohet dhe të zbatojnë zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit”.

“Të dyja palët zotohen që të identifikojnë një pikë kontakti për t’i udhëhequr këto përpjekje brenda ministrive përkatëse të qeverisë dhe sigurisht në koordinim mes Beogradit dhe Prishtinës për të siguruar rifreskim vjetor dhe të rregullt të rasteve për të cilat duhet të bëhet zgjidhje. Nuk ka asnjë të keqe nga këto zotime mes të cilave nuk figuron asnjëherë fjala ‘kushtëzim’. Besoj thellë që të gjitha këto janë në interesin më të mirë të shtetit të Kosovës dhe ndriçimit përfundimisht të kësaj çështje”.

Shefi i qeverisë ka thënë se nëse do të ketë marrëveshje përfundimtare me Serbinë, atëherë pjesë e marrëveshjes do të jetë edhe çështja e të pagjeturve dhe zhdukurve, njofton Klan Kosova.

“Marrëveshja, si tërësi, do të ketë garanca ndërkombëtare për të zgjidhur edhe çështjen e të pagjeturve dhe personave të zhdukur”.

“Çështja e të pagjeturve nuk duhet të politizohet. Me një marrëveshje, sikur kjo e Washingtonit, zgjidhja e çështjes së të pagjeturve pritet të përshpejtohet, sepse siç e keni parë procesi për gjetjen e mbetjeve mortore ka pasë dinamikë shumë më të madhe në Kosovë dhe në Serbi ku edhe aktualisht po bëhen gërmime për gjetjen e mbetjeve mortore”.

Ai, në interpelancën e sotme, ka deklaruar se çështja e personave të zhdukur po trajtohet me përkushtim nga institucionet e Kosovës në bashkëpunim me familjarët dhe mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë.

“Nga 6057 persona që nga familjarët ishin paraqitur të humbur janë edhe 1638 ende të pagjetur. Procesi për gjetjen e tyre do të vazhdojë deri tek i fundit – me të gjitha vështirësitë jo të pakta dhe specifikat që ka ky proces”.

“Gjetja e personave të humbur nga lufta e fundit ka edhe ngecjet e veta, ashtu siç ka pasë gjatë gjithë kohës, por ka vazhduar pa ndërprerje. Mungesa e informacioneve të besueshme ndërlidhet nga mungesa e gatishmërisë së palës serbe për t’i ofruar këto të dhëna në disponim. Deri vonë në këtë proces janë angazhuar institucionet ndërkombëtare dhe në një formë e kanë pasë pronësinë – duke filluar nga UNMIK-u, EULEX-i dhe institucione të tjera – dhe sigurisht që për shkak të kësaj ky proces ka pasë ngecjet e veta dhe është reflektuar në gjithë efikasitetin e nevojshëm për të bërë progres në këtë çështje”.

“Mbetjet mortore në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore, që janë rreth 300, ende nuk janë identifikuar pas gjithë këtyre viteve. Po punojmë që t’i japim kësaj çështje zgjidhje të shpejtë duke u munduar që të ndajmë mbetjet e luftës së fundit dhe mbetjet tjera. Ka mungesë të familjarëve për të ofruar mostrat e nevojshme të gjakut në mënyrë që të identifikohen sa më parë këto mbetje. Besoj që këta janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në procesin e identifikimit të plotë të mbetjeve në morgun e IML-së”.