Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i pyetur se kush do të udhëheqë me dialogun, ka thënë se rolet janë të ndara dhe ato i ka përcaktuar Kushtetuta.
Ai pas takimit të parë si kryeministër me presidentin Hashim Thaçi, ka thënë se kjo çështje nuk guxon as të shtrohet si dilemë.
“Nuk shtrohen këto pyetje, Kushtetuta është e qartë. Edhe aktgjykimi i Kushtetues është i qartë, ne i kemi rolet e ndara, por e rëndësishme është të jemi të koordinuar dhe së bashku”, ka thënë Hoti.
Ai ka treguar se në takim me të parin e vendit ka kërkuar koordinim dhe bashkëpunim.
“Sot e prezantova kornizën dialoguese edhe te presidenti dhe kërkova që të koordinohemi plotësisht, pasi nuk është proces vetëm i kësaj qeverie, por është i të gjitha partive politike dhe qytetarëve të Kosovës. Unë kam thënë se duhet të krijojmë një konsensus të gjerë me të gjitha forcat politike për një proces të rëndësishëm. Pas 30 vjetësh jemi në pikën kur duhet të përmbyllim, të konsolidojmë shtetin e Kosovës”, ka shtuar Hoti.