Hoti: Situatë e rëndë, projeksionet e IKSHPK-së janë pesimiste

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se situata me pandeminë është tepër e rëndë.

Ai në një konferencë për media që po e mban, ka shpalosë masat e reja anti-COVID, duke thënë se projeksionet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë tejet pesimiste.

“Situata është tepër e rëndë, ne kemi përgatitur të dhënat konkrete që t’i shohin të gjithë qytetarët. Duke pas parasysh kapacitetet ne duhet të kujdesemi për masa me specifike. Testimet janë trefishuar në javët e fundit, numri i rasteve pozitive është rreth 1 në 3 që testohen, e ndonjëherë edhe deri në 50 për qind dalin pozitive. Edhe rastet fatale janë në rritje. Projeksionet e IKSHPK-së janë mjaft pesimisite”, ka thënë Hoti.

Hoti ka prezantuar hartën me shkallën e infeksioneve për 100 mijë banorë, duke thënë se Qeveria po shikon që t’i ulë këto shifra.

“E masat e ndërmarra na e përmirësuan situatën, por kur u kthye pandemia në regjion kemi edhe ne rritje. Është bërë riorganizimi, e kemi 838 numrin e shtretërve. Edhe numri me qasje ne oksigjen është rritur. 626 pacientë janë të shtrirë në QKUK dhe spitale”, ka thënë ai.

Harta është ndarë në tri grupe të komunave:

Në zonën e gjelbër futen komunat me rrezikshëri të ulët, deri në 75 të infektuar në javë për 100 mijë banorë.

Në zonën portokalli futen komunat me rrezikshëri të mesme, nga 76 deri në 149 të infektuar në javë për 100 mijë banorë.

Në zonën e kuqe futen komunat me rrezikshëri të lartë, mbi 150 të infektuar në javë për 100 mijë banorë.