Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se së shpejti do t’i fillojë bisedimet me spektrin politik për çështjen e presidentit.
“Për këtë çështje, shumë shpejt do të marrë udhë edhe kjo. Sapo kanë ndodh ndryshimet për shkak të akuzave të ngritura. Besoj për pak ditë do t’i fillojmë konsultimet me spektrin politik për ta zgjidhur këtë çështje, për ta pa si do ta tejkalojmë këtë situatë. Rruga kushtetuese është e qartë, unë do të insistoj që të përcillen të gjitha hapat kushtetuese e të vendoset interesi publik para atij politik”, ka deklaruar Hoti në konferencë.
Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës pas aktakuzës së konfirmuar nga Gjykata Speciale. Vjosa Osmani është bërë ushtruese e detyrës së presidentes.