Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se vazhdimi i dialogut është hap kyç për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që sipas tij duhet të çojë në njohje reciproke.
Këto komente ai i bëri pasi i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell tha se palët do të takohen më 27 qershor në Uashington.
“Aktivitetet e koordinuara me partnerët tanë ndërkombëtarë, posaçërisht me Qeverinë amerikane dhe Richard Grenell kanë prodhuar rezultatet e para, duke bërë që Serbia të ndalë fushatën e çnjohjeve. Vazhdimi i dialogut është hap kyç për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjes reciproke”, tha kryeministri Hoti.
Coordinated activities with our int partners, especially with @USAGov and @RichardGrenell has yielded the first results, prompting Serbia to halt its derecognition campaign. Continuation of the dialogue is a key step for the normalization of relations and mutual recognition! https://t.co/peqLiQVYo2
— Avdullah Hoti (@Avdullah) June 15, 2020
Radio Evropa e Lirë merr vesh se në takimin në Shtëpinë e Bardhë, Kosova do të përfaqësohet nga presidenti, Hashim Thaçi dhe kryeministri, Avdullah Hoti. Ndërkaq, nga Qeveria e Serbisë thanë për REL që përbërja e delegacionit serb ende nuk është precizuar.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. SHBA-ja emëroi Richard Grenell si të dërguar të saj në këtë proces në tetorin e vitit 2019.
Ky dialog u ndërpre në fund të vitit 2018, pasi Kosova vendosi një taksë 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë. Kjo masë u pasua me reciprocitet, por në fillim të muajit qershor, qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti hoqi reciprocitetin, me qëllim që t’i jepej shans rinisjes së dialogut.