Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pret që gjatë qëndrimit në Uashington të merret një vendim strategjik sa i përket të ardhmes së Kosovës.
Ai në një postim në Facebook, ka thënë se në Shtëpinë e Bardhë gjithnjë janë marrë vendime strategjike për vendin.
Hoti më 4 shtator, do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Temë është thënë se do të jetë ekonomia, por nuk është përjashtuar nga asnjëra palë të hapen edhe tema të tjera.
“Në Shtëpinë e Bardhë janë marrë gjithmonë vendime strategjike që kanë quar në liri, pavarësi dhe integrim euro-atlantik të shtetit të Kosovës. Nuk do të jetë ndryshe edhe këtë herë”, ka shkruar Hoti.
Ai ka njoftuar se gjatë qëndrimit në SHBA, do të takojë edhe Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo dhe zyrtarë të tjerë të lartë, sikurse edhe përfaqësuesit e komunitetit shqiptar.
“Qeveria e Kosovës do të prezantojë projekte të mëdha infrastrukturore dhe energjetike që kontribuojnë në zhvillimin dhe krijimin e vendeve të punës në Kosovë, por që ndikojnë në integrimin më të mirë të Kosovës në tregun regjional dhe evropian”, ka shkruar tutje i pari i ekzekutivit kosovar.