Me arsyetime të shkurtra që lidhen kryesisht me “performancë të dobët”, të premten janë shkarkuar tre personat që kanë mbajtur tri nga pozitat më të rëndësishme në vend.
I cilësuar si i afërt me PDK-në, Rashit Qalaj është shkarkuar pas dy vjet e dy muajsh menaxhim me institucionin e Policisë së Kosovës, shkruan KOHA.
Shkarkimi i tij është bërë saktësisht 7 ditë pas arrestimit të nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova.
PDK-ja e edhe deputetë opozitarë i kanë ndërlidhur këto dy ngjarje, duke pretenduar që Qalaj është arrestuar për shkak se Drejtoria e Krimeve Ekonomike e nivelit qendror ka arrestuar nënkryetarin Rugova.
Një skenar të tillë ia kanë thënë KOHËS edhe burime brenda Policisë së Kosovës.
Presioni mbi këtë institucion, siç kanë thënë burimet, ka qenë dhe është edhe largimi i drejtorit të Krimeve Ekonomike, Bashkim Spahiut.
Pas Qalajt, kryeministri Hoti ka shkarkuar edhe dy drejtorë.
Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës janë institucionet publike me qarkullimin më të madh financiar në vend. Të dyja këtyre institucioneve kryeministri Hoti ua ka shkarkuar drejtorët.
Ilir Murtezaj është bërë drejtor i ATK-së në shkurtin e vitit 2019 në koalicionin qeverisës PDK-AAK-NISMA, njëjtë sikurse edhe Qalaj.
Shefi i shkarkuar i Doganës ka qenë i përkohshëm.
Kur Avdullah Hoti ishte zëvendëskryeministër në qeverinë e kaluar, kryeministri i atëhershëm, Albin Kurti, pati caktuar Xhakën ushtrues detyre të shefit të këtij institucioni.
“Sot në Drejtorinë e Doganës është bërë pranim-dorëzimi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm nga zt. Bahri Berisha te zt. Ibrahim Xhaka i emëruar nga kryeministri si ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm”, thuhej në komunikatën e Doganës së Kosovës në shkurtin e këtij viti, disa javë pasi patën nisur qeverisjen partnerët e atëhershëm LDK-VV.