Hoti premton rrogë të 13-të për mësimdhënësit parauniversitarë

Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti duke njoftuar se janë pajtuar për kontratën kolektive me Sindikatën e Bashkuar për Arsim, ka premtuar rrogë të 13-të për mësimdhënësit parauniversitarë nëse ata tregojnë sukses.

Por, ai pas mbledhjes me SHBASHK-un dhe ministrin në detyrë të Arsimit, Ramë Likaj, ka thënë se kjo do të fillojë nga viti 2023.

“Jemi dakorduar që të paguhet paga e 13-të për të punësuarit në arsimin parauniversitar duke filluar nga viti 2023 dhe kjo do të lidhet me perfomancën në arsim”.

“I kemi dakorduar të gjitha çështjet për kontratat kolektive për arsim, duke saktësuar të gjitha aspektet kryesore të kontratës lidhur me themelimin e marrëdhënies së punës, avancimit, kriteret e punësimit, mënyrat e funksionimit, të drejtat e mësimdhënësve e të tjera”.

“I kemi saktësuar të gjitha çështjet pa përjashtim. Pagesa shtesë për dy muaj për shkak të punës së shtuar në pandemi, shujta ditore për mësimdhënës dhe shpenzimet e transportit. Këto kanë implikime financiare, por do të merremi vesh edhe me Ministrinë e Financave dhe do të bëjmë llogaritë buxhetore. Sot do të nënshkruhet kjo kontratë”.

Po ashtu, edhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se kjo çështje lidhet ngushtë me performancën që do të tregojnë mësimdhënësit.

SBASHK ka kërcënuar me grevë nëse nuk do të merreshin këto vendime në prag të zgjedhjeve të parakohshme.