Kryeministri Avdullah Hoti thotë se nëse vazhdon trendi i rritjes së numrit të të infektuarve me Covid-19 në Kosovë mund të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Për këtë çështje thotë se tashmë ka diskutuar me Komitetin për Menaxhimin e Covid-19.
“Tash jemi duke shkuar drejt gjendjes së jashtëzakonshme. Unë sonte kam pasur takim me Komitetin për Menaxhimin e Covidit dhe kemi diskutuar shumë hapur. Mund të jetë vendim shumë jo popullor, por unë jam i gatshëm të shkoj në ekstreme për të ruajtur jetën e qytetarëve”, tha Hoti në emisionin Rubikon në Klan Kosova.
Për këtë çështje tha se do të diskutohet edhe të dielën, kur do të flitet për mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.
“Të dielën e kam thirr takimin tjetër të Komitetit për Menaxhimin e Covid-19 për të bërë vlerësimin tjetër të situatës shtesë me disa informata që iu kemi kërkuar që t’i mbledhin dhe t’i vlerësojnë të gjitha institucionet shëndetësore të përfshira dhe pas asaj kam ftuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për të diskutuar bashkë me anëtarët e Këshillit të Sigurisë nëse duhet të shqyrtojmë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme”, tha Hoti.
Kreu i qeverisë thotë se do të kritikohet nëse do të vije deri te kjo ditë, por se dëmet ekonomike janë asgjë në krahasim me jetën e qytetarëve.
Nëse vazhdohet të mos respektohen rekomandimet për parandalim të koronavirusit, ai tha se sistemi shëndetësor në vend do të kolapsojë.
“Ne do të vlerësojmë nëse duhet të shkohet drejt shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Jeta e qytetarit është më e rëndësishmja, tjerat janë dytësore. Krejt humbjet ekonomike nëse i mbledhim bashkë nuk vlejnë sa një jetë e një qytetari. Unë e di që kjo nuk është populiste, unë e di që mund të marrë shumë kritika nga bizneset por jam i gatshëm që t’i marrë të gjitha kostot publike si kreu i qeverisë ”, shtoi Hoti.