Hoti përshëndet zgjedhjen e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut

Kryeministri Avdullah Hoti ka përshëndetur zgjedhjen e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut.

“Me rastin e zgjedhjes së Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, kam kënaqësinë t’i shpreh urimet e mia më të sinqerta kryeministrit Zoran Zaev, kabinetit të tij qeveritar dhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”.

“Jam i bindur se marrëdhëniet tona bilaterale do të vazhdojnë të forcohen, në bazë të marrëdhënieve historikisht të afërta dhe miqësore ndërmjet dy vendeve tona dhe dy popujve tanë”.

“Qeveria e Kosovës, dhe unë personalisht, mezi presim që të punojmë me Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat”.

“Ne jemi të vendosur të përqendrohemi sidomos në rritjen e bashkëpunimit tonë bilateral ekonomik që duhet të përputhet me marrëdhëniet e shkëlqyeshme politike ndërmjet të dy vendeve tona”, thuhet mes tjerash në mesazhin e urimit të kreut të ekzekutivit.