Hoti: Përmbajtja e Asociacionit është e mbyllur, s’do të ketë kompetenca ekzekutive

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka theksuar që çështja e Asociacionit sipas tij, është temë e mbyllur për Kosovën dhe nuk do të diskutohet më për të në Bruksel.

“Asociacioni si i tillë nuk diskutohet, sepse është i mbyllur me marrëveshje. Formimi i Asociacionit dhe dukja është e kryer me marrëveshjen e 2013, dhe ajo e 2015 dhe opinioni i Gjykatës Kushtetuese mbi atë marrëveshjen e parimeve të 2015; në njëfarë mënyre i vendosim një element sigurues që Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”.

“Vizita e Lajçakut ishte me interes që të konfirmohen parimet dhe mbështetja që i jep BE-ja procesit të dialogut. Unë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me të edhe në Bruksel edhe në Prishtinë”.

“Është mirë që është bartur mesazhi te të gjithë liderët politik. Më vjen mirë që procesi i dialogut, si i tillë ka një pajtueshmëri të spektrit politik në vend, me parime të qarta që marrëveshja duhe të përfundojë me njohje reciproke. Asociacioni, është një ndër elementet e marrëveshjes përfundimtare e që është obligim që ka marrë shteti i Kosovës me marrëveshjen e ratifikuar në Kuvend”.

Hoti në Rubikon në Klan Kosova, theksoi që ajo që kërkohet është që Asociacioni të bëhet pjesë e marrëveshjes finale Kosovë –Serbi.

“Ne duhet të kemi kujdes, që statuti i Asociacionit të përgatitet në përputhje me marrëveshjen finale dhe me opinionin e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Hoti.