Hoti për Samitin e Parisit: Dialogu duhet të përfundojë me njohje

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka komentuar edhe takimin e Parisit i cili do të mbahet virtualisht më 10 korrik të premtën.

Kryeministri Hoti tha se në takim me palën serbe do të kërkojnë njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve dhe shprehet se këtë ia ka bërë me dije edhe presidentit të Francës, Emanuel Macron.

Hoti më tutje thotë se pret me padurim të prezantojë qëndrimin e Kosovës në dialog me Serbinë dhe konsensusin e krijuar.

“Për neve njohja reciproke është i vetmi qëllim i dialogut me Serbinë dhe normalizimi i marrëdhënieve si derivat i njohjes së ndërsjellë.”, shprehet Hoti.

“Të premten mbahet Samiti i Parisit i organizuar nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron, në mes Kosovës dhe Serbisë, edhe në takim me presidentin kam treguar qartë qëndrimin për dialog me Serbinë si proces i rëndësishëm që përmbyll një çështje të hapur dhe në detaje kam sqaruar para tij pozicionin tonë që ne jemi të gatshëm të hyjmë në proces por në një dialog që nënkupton njohje reciproke dhe normalizim marrëdhëniesh. Është mirëkuptim i të gjitha palëve që vetëm njohja reciproke e qetëson këtë pjesë të Ballkanit. Pres me padurim të zhvillohet ky samit dhe të prezantojmë qëndrimin shtetëror, duke treguar përgatitjet që kemi bërë, konsensusin që kemi krijuar. Për neve njohja reciproke është i vetmi qëllim i dialogut me Serbinë dhe normalizimi i marrëdhënieve si derivat i njohjes së ndërsjellë.”, tha Hoti.