Hoti për krizën energjetike: Qeveria se ka idenë se me çka do të përballemi

Ish-kryeministri, Avdullah Hoti, konsideron se kaosi në menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria ka rritur panikun tek qytetarët.

Hoti thotë se një qeveri e përgjegjshme duhet të informojë qytetarë në detaje se sa pritet të jetë prodhimi i energjisë nga KEK-u gjatë dimrit, sa duhet importuar energji për të plotësuar kërkesat, sa buxhet është ndarë për import të energjisë e shumë të tjera, njofton Klankosova.tv.

“Një qeveri e përgjegjshme duhet të informojnë qytetarët në detaje: sa pritet të jetë prodhimi i energjisë nga KEK-u gjatë dimrit, sa duhet importuar energji për të plotësuar kërkesën vendore, sa buxhet duhet ndarë për import të asaj energjie, a mund të lidhen tani kontrata për blerje të energjisë, sa energji i kemi dhënë Shqipërisë deri më tani në mënyrë që të marrim nga ta gjatë dimrit, sa buxhet duhet ndarë për kompanitë e energjisë në mënyrë që rritja e faturave të energjisë të jetë e përballueshme për familjet, sa buxhet duhet ndarë për subvencionim të energjisë për familjet në asistencë sociale dhe çfarë mund të bëhet bashkë me komunat për familjet e tjera më në nevojë për mbështetje etj”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Deputeti i LDK-së, mes tjerash, thotë se Qeveria nuk e ka as idenë më të vogël se me çka po përballet Kosova dhe tregojnë dogma tek partnerët ndërkombëtarë.

“Këta nuk kanë ide se me çfarë do të përballemi. Kujtojnë se me ta nis historia dhe e nisin nga e para strategjinë e energjisë. Tregojnë dogma para partnerëve ndërkombëtarë. U tregojnë japonezëve sa ka qenë rritja në Kosovë dhe i ftojnë të investojnë, por në anën tjetër në media ndërkombëtare e përmendin çdo ditë mundësinë për luftë në Kosovë. E anulojnë projektin strategjik të gazit për inate politike, i cili për tri vite do të shtonte kapacitet energjetike”.