Hoti: Pavarësisht pandemisë, bujqësia po e merr vëmendjen e duhur


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave të para me përfituesit (fermerët) e Programit për Zhvillim Rural  2020-21.

Kryeministri Hoti tha se, pavarësisht situatës së vështirë dhe problemeve ekonomike që ka sjellë pandemia Covid-19 edhe në buxhetin e shtetit, megjithatë bujqësia po e merr vëmendjen e duhur.

Kryeministri Hoti nënvizoi se bujqësia mbetet sektor shumë i rëndësishëm për të rritur prodhimin vendor, aftësinë konkurruese të ekonomisë vendore, për të përmirësuar bilancin tregtar si dhe për të ulur importin e madh të produkteve bujqësore që kemi.

Fjala e plotë e Kryeministrit Hoti:

Më lejoni t’ju përshëndes të gjithëve dhe të përgëzoj ministrin, bashkë me zëvendësministrat dhe stafin, drejtorin e Agjencisë, për përgatitjet që sot të konkretizohet kjo mbështetje e Qeverisë për fermerët, për bujqit, për prodhuesit e ndryshëm.

Besoj që është bërë një punë e madhe dhe e mira e kësaj është se, pavarësisht situatës së vështirë nëpër të cilën po kalojmë, me pandemi, me problemet ekonomike që na ka sjellë kjo pandemi edhe në buxhetin e shtetit, prapë bujqësia po e merr vëmendjen e plotë që duhet të ketë. Përtej kësaj me Fondin për Rimëkëmbje Ekonomike, janë dyfishuar subvencionet në pjesën e bujqësisë, prej të cilave pjesa më e madhe do të arrihet të paguhet brenda këtij viti.

Ju uroj atyre që nënshkruan këto kontrata, drejtorit të Agjencisë, ju uroj punë të mbarë edhe plot të tjerëve që kanë përfituar dhe që nuk janë prezent.

Bujqësia mbetet sektor shumë i rëndësishëm për të ardhurat e familjeve, për punësimin në Kosovë e mbi të gjitha për të rritë prodhimin vendor, aftësinë konkurruese të ekonomisë vendore, për të përmirësuar bilancin tregtar si dhe për të ulur importin e madh të produkteve bujqësore që kemi.

Po mundohemi ta kompletojmë infrastrukturën ligjore dhe përmes instrumenteve të ndryshme, ta mbështesim bujqësinë. Ju keni parë dje, patëm një diskutim të gjatë me Fondin për Garantim të Kredive, ku do të ketë dritare të veçantë për kreditim në kushte të volitshme edhe me mbulim të kolateralit deri në 80 % për kredi që lëshohen në fushën e bujqësisë. Fondi për Garantim të Kredive shumë shpejtë do t’i përmbyll të gjitha  procedurat e nevojshme në mënyrë që bujqit të fillojnë menjëherë të përfitojnë nga kjo masë, bazuar në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike që tanimë ka kaluar në Kuvend.

Një fushë  tjetër e rëndësishme të cilën Ministri me pasion e ka kryer gjatë këtij viti është Master Plani për Ujitjen e Tokave Bujqësore. Një plan që mbulon gjithë vendin dhe që besoj për pesë vite do ta ndërrojë komplet prodhimin në bujqësi duke e shumëfishuar tokën bujqësore që është nën ujitje. Ka plot donatorë që janë duke e mbështetur këtë  fushë dhe ministri është duke bërë një punë të mirë në koordinimin e të gjithë mbështetjes që vjen në fushën e bujqësisë. Jemi duke i dhënë vëmendjen e duhur edhe në buxhetin e vitit 2021 edhe në Strategjinë Kombëtare 10 vjeçare, por edhe në pjesën e Programit të Rregullt të Mbështetjes që marrim nga Komisioni Evropian përmes IPA-së.

Ju uroj atyre që nënshkruan kontratat sot, shumë suksese dhe gjithë të tjerëve që nuk janë prezent. E përgëzoj edhe njëherë ministrin, drejtorin e Agjencisë dhe gjithë stafin për një punë të jashtëzakonshme në këtë kohë bukur të vështirë dhe mbi të gjitha në sigurimin e transparencës së plotë në ndarjen e këtyre granteve.