Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, deklaroi se pagat në sektorin publik duhet të rriten për të paktën 10 për qind, ndërsa vlera e koeficientit duhet të jetë 137.5 euro.
Ai shkroi në Facebook të hënën se çfarëdo vlere e koeficientit më pak se 125 euro, nënkupton ulje të pagave në fuqi blerëse në mallra dhe shërbime.
“Pagat në sektorin publik nuk janë rritur që nga viti 2016, kur u zbatua rritja prej 2% deri në 20% për shkak të viteve të përvojës së punës. Për shkak të ndryshimeve strukturore në ekonomi dhe në nevojat për konsum të familjeve, si dhe inflacionit inercial për periudhën 2016-2021, është e natyrshme që pagat reale duhet të rriten së paku me 10%. Kjo rritje është modeste, pasi përbën rritje prej 2% në vit. Kështu që, për të siguruar rritje reale të pagave prej 10%, si dhe për të kompensuar zhvlerësimin për shkak të inflacionit siç u diskutua më lartë, vlera e koeficientit të pagave duhet të jetë 137.5 euro. [e njëjta përshtatje duhet të ndodhë edhe për skemat pensionet dhe të ndihmës sociale]”, shkroi Hoti.
Sipas tij, Qeveria nuk i përshtati pagat për normën e inflacionit, e as nuk e rriti pagën minimale.
“Bazuar në një llogaritje të thjeshtë: një vlerë e koeficientit prej 125 euro i ruan pagat e njëjta në fuqi blerëse, siç kanë qenë në dhjetor 2021 përpara rritjes së çmimeve. Pra, kjo vlerë e koeficientit nuk paraqet rritje reale të pagave. Rritje reale sigurohet nëse vlera e koeficientit është më e lartë se 125 euro. Çfarëdo vlere e koeficientit më pak se 125 euro nënkupton ulje të pagave në fuqi blerëse në mallra dhe shërbime”.
Më 5 janar janë publikuar 136 nivelet e koeficienteve në Ligjin e Pagave.