Hoti: Nuk ka asociacion me kompetenca ekzekutive

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se udhërrëfyes për procesin e dialogut që nga koha kur e ka marrë detyrën është Kushtetuta e Kosovës.

“Është një qasje për zgjidhje sistematike të problemit dhe jo zgjidhje kreative. Integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm. Kjo nuk është shtruar në asnjë tryezë diskutimi ku unë kam marr pjesë qe tre muaj”, tha Hoti, raporton KOHA.

Hoti, gjithashtu shtoi se “Nuk ka asociacion me kompetenca ekzekutive”.

“Për këto dy çështje kemi përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë. Marrëveshja duhet të përfundojë me njohje reciproke. Marrëveshja dhe procesi duhet të përfundojë me normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve, që i bie me njohje reciproke. Marrëveshja duhet të përfundoj me një zgjidhje të përhershme të problemit”, tha tutje Hoti në platoformën e organizuar nga shoqëria civile për dialogun.

Hoti gjithashtu përmendi edhe çështjen e të pagjeturve.

“Ajo që bëjmë në këtë fazë është draftim i elementeve të marrëveshjes përfundimtare, një prej këtyre elementeve është çështja e të pagjeturve. Po cilësohet dialog teknik, nuk ka dialog teknik, nuk jemi duke arritur marrëveshje parciale. Për vite janë arritur marrëveshje që nuk janë zbatuar, dhe kjo ka ndodhur se nuk është adresuar njohja reciproke”, tha Hoti, raporton Hoti, duke shtuar se “Bashkëpunimi në mes të BE-së dhe SHBA-së në procesin e dialogut nuk është i ngushtë por është i plotë”.

“Nga marrëveshja e arritur në SHBA e cila ka kryesisht elemente ekonomike Kosova do të përfitojë rreth 1 miliard dollarë amerikan investime në projekte të ndryshme”, shtoi tutje.