Hoti ngushëllon popullin dhe Qeverinë e Libanit

Me rastin e tragjedisë së djeshme në Bejrut të Libanit, ku si pasojë e një shpërthimi kanë humbur jetën dhjetëra qytetarë të këtij vendi, kryeministri Avdullah Hoti ka lëshuar një mesazh ngushëllimi.

Ai ka thënë se kjo tragjedi është pritur me dhimbje në Kosovë, transmeton Klan Kosova.

“Në emër të Qeverisë të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Qeverisë dhe popullit të Libanit për shuarjen tragjike të jetës së dhjetëra qytetarëve libanezë, të cilët pësuan nga shpërthimi i djeshëm në Bejrut”, ka thënë Hoti.

“Edhe në Kosovë, si kudo në botë, lajmi tronditës për këtë tragjedi është pritur me dhembje të thellë. Le të shndërrohet kjo tragjedi në besim dhe vendosmëri për të punuar edhe më fort për një botë paqësore dhe për miqësi mes popujsh e vendesh!”.

“Shpirtërisht dhe në lutje jemi me popullin e Libanit në këto çaste pikëllimi! Zoti i bekoftë viktimat e kësaj tragjedie dhe familjet e tyre!”.