Shefi i Qeverisë, Avdullah Hoti është zotuar sot se në muajin shtator do të nis plani për draftimin e një strategjie të re për rimëkëmbjen ekonomike, raporton KOHA.
Kjo pasi që sipas tij, në situatën e krijuar me pandeminë vendi ka nevojë për një plan afatgjatë për rimëkëmbjen ekonomike.
“Ne edhe ashtu kemi pasur në plan që në shtator të fillojmë draftimin e strategjisë së re zhvillimore për Kosovën, por tash jemi të nxitur dhe të shtyrë nga nevoja që kemi për të ofruar një plan afatgjatë të rimëkëmbjes ekonomike, sepse është më se e qartë se do të përballemi me probleme të rimëkëmbjes ekonomike, jo vetëm përgjatë këtij viti por edhe gjatë vitit të ardhshëm, e përtej saj”, tha Hoti.
Ai po ashtu ka thënë se kjo strategji zhvillimore parasheh një periudhë 5 vjeçare në vlerë deri gjashtë miliardë euro.
“Kjo nënkupton një strategji zhvillimore 5 vjeçare, qe shkon deri në 6 miliardë euro”, është shprehur Hoti, në takimin Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime.