Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti zhvilloi sot një takim me anëtarët e Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës.
Hoti tha se ndriçimi i fatit të të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë është prioritet për Qeverinë, si dhe është ndër pikat kryesore në procesin e dialogut me Serbinë.
Ai nënvizoi se kjo çështje do të zgjidhet me arritjen e marrëveshjes përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, me të cilën Serbia obligohet të ofroj të gjitha të dhënat për vendndodhjen e varrezave masive.
“Kryeministri Hoti theksoi gatishmërinë e Qeverisë për mbështetje të vazhdueshme në çdo formë, për të gjitha shoqatat e familjarëve të të zhdukurve, duke nënvizuar se kjo çështje shumë e ndjeshme kërkon qasje serioze nga ana e institucioneve shtetërore”, thuhet në njoftimin e bërë nga zyra e Kryeministrit.
Kryeministri Hoti propozoi që takimet e këtij formati të jenë të rregullta, propozim ky i cili u mirëprit nga anëtarët e Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës.