Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka mbajtur takim në Odën Ekonomike, bashkë me Berat Rukiqin dhe Drejtorin Ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka.
Takimi ishte për të diskutuar rreth agjendës për rimëkëmbjen e ekonomisë, dhe mundësitë që po krijohen nga Marrëveshja e Washingtonit.
Hoti ka dhënë detaje të takimit. Ka thënë se në të ka pasur edhe përfaqësues të bizneseve.
“Besoj se është krijuar momentum i ri në zhvillimet politike, e në veçanti me nënshkrimin e Marrëveshjes. Procesi i rimëkëmbjes ekonomike ishte temë kryesore”, ka bërë të ditur ai.
Hoti njëkohësisht ka përsëritur kërkesën për miratimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike.
“Në Kuvend është Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike, është vitale që përmes këtij ligji të ndihmohen bizneset. Lus grupet parlamentare që ta mbështesin këtë ligj, sepse u mundëson bizneseve e qytetarëve që t’i kenë në dispozicion rreth 700 milionë euro”, ka thënë ai.
Rukiqi ndërkaq ka përmendur rënien e madhe të qarkullimit të biznesit.
“Rënia e qarkullimit të biznesit është rreth 1 miliard euro Është urgjente të kemi legjislacion dhe mekanizma të rikthehemi në binarë. Diskutuam edhe për mundëisnë e shfrytëzimit të momentumit nga marrëveshja e arritur Washington. Interesi jonë është të kemi sa më shumë projekt”, ka thënë ai.
Ndërkohë Arian Zeka ka shprehur besimin tek kapacitetet për përballjen me gjendjen.
“Pandemia ka pasur ndikim negativ te sektori privat e bizneset në përgjithësi. Ka dashur fati të kemi zhvillime tjera, si Marrëveshja në Washington. Besojmë se kemi kapacitete të mjaftueshme për të punuar që efektet në ekonomi të jenë të mira”, ka thënë Zeka.
Sa i përket bashkëpunimit me Odën Ekonomike të Serbisë, Rukiqi tha se do të ketë grup punues që do të identifikojë barrierat.