Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka vizituar sot Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Hasan Prishtina” me rastin e 7 Marsit- Ditës së Mësuesit, ku është pritur nga drejtoresha znj. Sofie Bunjaku dhe mësimdhënës të kësaj shkolle.
Duke ua uruar Ditën e Mësuesit, kryeministri Hoti falënderoi gjithë mësimdhënësit në gjithë Kosovën për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë gjatë këtij viti sfidues.
“Mënyra se si keni arritur ta organizoni mësimin me modalitetet e përgatitura nga Ministria e Arsimit me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me Institutin, besoj se është bërë punë e jashtëzakonshme, në mënyrë që nxënësit të mos mbesin prapa me mësim”, tha kryeministri Hoti, duke shprehur keqardhje për të gjithë ata që si rezultat i kësaj pandemie nuk janë në mesin tonë.
Kryeministri Hoti tha se gjatë kësaj periudhe janë munduar që të qëndrojnë afër mësimdhënësve duke mbështetur komunat, institucionet arsimore në organizimin e mësimit, edhe me këshilldhënie nga Ministria e Arsimit, por edhe me mjete të tjera.
Në këtë vizitë, kryeministri Hoti ishte i shoqëruar nga zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Xhavit Rexhaj.