Hoti: Masat që i kemi dizajnuar, kanë mundësuar mbajtjen gjallë të aktivitetit ekonomik

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, mori pjesë në takimin e Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike lidhur me Covid-19.

Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë Hoti falënderoi të gjithë për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë gjatë pandemisë dhe të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre në çfarëdo formë në këtë pandemi, derisa ka shprehur edhe ngushëllime për të gjithë ato familje që kanë humbur më të dashurit e tyre si pasojë e COVID-19.

Më tej, kryeministri Hoti tha se beson që masat që i kanë dizajnuar bashkë në këtë Komitet e kanë mundësuar funksionimin dhe mos mbylljen e plotë të ekonomisë, mbajtjen gjallë të aktivitetit ekonomik, në mënyrë që familjet dhe bizneset të tejkalojnë këtë situatë.

Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Hoti:

Më vjen mirë që po takohemi në këtë përbërje. U mbushën një vit nga fillimi i kësaj pandemie. Unë dëshiroj të falënderoj edhe njëherë dhe të shpreh respektin për të gjithë ata zyrtarë, punonjës, staf shëndetësor,  polici, inspektorat, zyrtarë të ndryshëm në nivele të ndryshme,  për punën e jashtëzakonshme në menaxhimin e kësaj pandemie  dhe të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në çfarëdo forme në këtë pandemi.

Gjithashtu dëshiroj të shpreh ngushëllime në emër të qeverisë për familjet që kanë humbur anëtarët e tyre në këtë pandemi dhe ata që janë prekur ju uroj shërim të shpejtë.

Besoj se ka qenë përvojë jetësore për të gjithë neve përballja me këtë pandemi që ndodh një herë në 100 vjet. Kemi kaluar një vit vërtet të jashtëzakonshëm  dhe e them me kënaqësi që ia kemi dalë në masë të madhe megjithëse kemi pasur resurse të kufizuara në këtë drejtim.

Unë dëshiroj të falënderoj stafin shëndetësor për mobilizimin e jashtëzakonshëm që kanë bërë gjatë kësaj periudhe, pa pushim, 24 orë,  pa asnjë ditë pushim duke u përballur çdo ditë me rrezikun e infektimit të tyre.

Janë organizuar klinikat, spitalet rajonale për t’i vënë në funksion të menaxhimit të pandemisë, në të njëjtën kohë duke u munduar që të mos ngec mbrapa ofrimi i shërbimeve të tjera shëndetësore.  Ju si komitet keni kryer një punë të jashtëzakonshme në atë koordinimin e nevojshëm institucional që është dashur të ndodh gjatë gjithë kohës . E di që jeni përballur me vështirësi në zbatimin e masave dhe jo gjithmonë edhe ju vetë si bartës të institucioneve  i keni pasur ndoshta resurset e nevojshme për zbatimin e plotë të atyre masave por nuk jeni ndal, në fakt nuk jemi kursyer asnjëri nga ne. E di kur vetë ministri ka kryer edhe punën e inspektorit , zyrtarit të ministrisë, telefonuesit dhe të koordinimit të aktiviteteve të takimeve të çfarëdo pune që ka qenë e nevojshme. Njësoj edhe me drejtorin e Shërbimit Spitalor e kam parë duke bartur boca të oksigjenit prej një institucioni në një tjetër  ose Drejtorin e Institutit të Shëndetit Publik duke u bë edhe telefonues duke kontaktuar me pacientë me shtabe lokale 24 orë pa asnjë hezitim.

Është fakt që në muajt e parë të gjithë kemi qenë të frikësuar me këtë situatë sepse ka pasur shumë të panjohura jo vetëm tek ne por në mbarë globin dhe natyrshëm duke i përcjell edhe përvojat e vendeve të tjera, në fillim masat kanë qenë shumë më restriktive por më vonë kemi mbërri që bashkë në këtë komitet bashkë me ekspertizën vendore dhe ndërkombëtare t’i standardizojmë këto masa dhe siç e dini kemi shkuar tek kategorizimi i komunave në vitin që shkoi, një qasje në menaxhimin e pandemisë që pastaj është përhap edhe në vende të tjera.

I kemi rrit kapacitetet testuese dhe sot e them me kënaqësi që testohen mbi 3 mijë veta brenda ditës, dhe praktikisht askush që ka nevojë të testohet nuk mbetet pa u testuar pavarësisht kostos së madhe që ka kjo për institucionet.

Janë riorganizuar spitalet tona, është ngritur furnizimi me oksigjen dhe  është përmbyllur praktikisht  furnizimi me oksigjen sipas standardeve.

Kemi marrë shumë kritika nga oponentët tanë gjatë kësaj periudhe, ne veçanti për riorganizimin e Shërbimit Spitalor dhe furnizimit me oksigjen, nga njerëz që asnjëherë në jetën e tyre nuk kanë dhënë asnjë kontribut në shoqëri, përveç se kanë kritikuar.

Masat që i kemi dizajnuar bashkë në këtë Komitet besoj se e kanë mundësuar funksionimin e ekonomisë, mos mbylljen e plotë të ekonomisë, mbajtjen gjallë të aktivitetit ekonomik, në mënyrë që familjet dhe bizneset të tejkalojnë këtë situatë.


Unë e falënderoj Komitetin, Institutin dhe gjithë njerëzit e përfshirë në dizajnimin e masave në atë manualin e pandemisë që na ka mundësuar zhvillimin e aktiviteteve kulturore, sportive, arsimore dhe aktiviteteve të tjera shoqërore në përgjithësi.


Sigurisht të vetëdijshëm që jo gjithmonë kemi arritur që t’i zbatojmë me përpikëri protokollet që janë paraparë në manualin për mbrojtjen nga COVID, por besoj që kemi vendosur standarde të cilat pastaj janë replikuar gjerësisht.

Unë dëshiroj për ta falënderuar Ministrinë e Arsimit për punën që ka bërë në të gjitha nivelet në organizimin e mësimit, duke mos humbur orë mësimore, edhe pse mësimdhënësit janë përballë realisht me shkallën më të lartë të infektimit pas stafit shëndetësor, nuk janë ndalur. Po besoj që po shkojmë në gjysmë vjetorin e dytë dhe po përgatitemi për një përmbyllje të suksesshme të këtij viti shkollor, në kushte që janë bukur specifike.


Sigurisht që pandemia na ka shkaktuar probleme sociale dhe ekonomike gjerësisht. Një herë në 100 vjet ndodhë një krizë e tillë, dhe të vetëdijshëm që nuk kemi arritur që t’ju dalim në ballë të gjithë atyre që kanë pasur nevojë për t’i mbështetur në këtë kohë të vështirë, por e gjej rastin edhe njëherë para këtij Komiteti dhe para gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës të falënderoj ministrin e Financave për një punë të jashtëzakonshme në mobilizimin e 700 milionë eurove edhe për mbështetje të bizneseve, të ekonomisë, të aktiviteteve kulturore, sportive, por në veçanti për të financuar të gjitha nevojat që janë paraqitur në institucionet tona shëndetësore.


E them me kënaqësinë më të madhe që asnjë aktivitet për t’i dalë në ballë pandemisë nuk është shtyrë ose nuk është anuluar për mungesë të buxhetit, ndërkohë që janë mbajtur kriteret sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, duke dizajnuar edhe program të ri me Fondin Monetar Ndërkombëtar.  

Qindra, mijëra qytetarë dhe biznese kanë ndjerë dorën e shtetit gjatë kësaj periudhe dhe praktikisht ne tash me të dhënat që kemi qëndrojmë shumë më mirë se në muajt e parë të vitit 2020 dhe gradualisht po kthehemi në normalitetin e funksionimit të ekonomisë.


Tash, jemi në fazën finale të kësaj pandemie në bazë edhe të vlerësimeve të organizatave ndërkombëtare lidhur me këtë pandemi. Për disa javë ne presim arritjen e vaksinave dhe do të fillojmë vaksinimin masiv bazuar në strategjinë e imunizimit që tashmë është përgatitur, të gjitha përgatitjet janë bërë në këtë drejtim.

Informatat që mora dje nga ministri dhe drejtori i Institutit janë shumë inkurajuese, edhe për përgatitjet teknike për të bërë të mundur që t’i identifikojmë njerëzit përmes platformës elektronike duke i caktuar saktë orën dhe datën se kur do të vaksinohen dhe të përmbyllim këtë proces.


Më lejoni të them edhe njëherë, edhe për vaksinën jemi kritikuar, por ne kemi bërë të gjitha përgatitjet për të sjellë vaksinën sipas standardeve të BE-së. Nuk kemi hyrë në lojëra për të sjellë vaksinën nga vendet e lindjes, të cilat vaksina nuk janë të certifikuara nga vendet e Bashkimit Evropian.


Ata që lëshojnë dezinformata që kritikojnë pa nevojë, nuk e thonë të vërtetën se kah kanë ardhur disa qindra mos të them as mijëra vaksina në vendet e regjionit me origjinë të dyshimtë.


Ne presim që mos të them për disa ditë, po disa javë të arrijnë vaksinat dhe të fillojmë vaksinimin sipas të gjitha protokolleve të Republikës së Kosovës dhe protokolleve të organizatave të Bashkimit Evropian.


Jam i sigurt që do t’ja dalim mbanë, siç ja kemi dalë deri më tash dhe do t’i kthehemi normalitetit edhe me ndihmën e partnerëve tanë të cilët dëshiroj t’i falënderoj për një punë të jashtëzakonshme gjatë gjithë kësaj periudhe, na kanë ndihmuar në baza javore duke u konsultuar me neve, duke na udhëzuar, duke na këshilluar dhe duke në ndihmuar masivisht edhe financiarisht, edhe me mjete të ndryshme shëndetësore gjatë kësaj periudhe, duke filluar nga Japonia, nga vendet e Bashkimit Evropian, SHBA dhe vendet e tjera.


Atë që e kërkoj unë nga ju si anëtarë të Komitetit është që të mbani nivelin e angazhimit, edhe nivelin e përgjegjësive që keni. E di që u bënë një vit e sa që jeni duke punuar 24 orë, por tani jemi në muajt e fundit të përmbylljes së kësaj pandemie dhe duhet të mbajmë nivelin e angazhimit si duhet.


Unë kërkoj që ministri i Shëndetësisë të vazhdojë më tutje të koordinojë punën e këtij Komiteti dhe të institucioneve të tjera. Në bazë të statistikave kemi pas në dy javët e fundit një rritje jo shumë të lartë, të numrit të rasteve të reja dhe po duket që 4-5 ditë në javë është stabilizuar kjo rritje në nivelet që po raportohen nga Instituti, krejt atë që duhet të bëjmë është që të mbajmë sistemin tonë të mobilizuar me polici, inspektorat, të cilët besoj që duhet të punojnë më shumë në drejtim të edukimit, të qytetarëve, të bizneseve, në respektim të masave, të mbajmë të mobilizuar sistemin tonë arsimor në mënyrë që të mos humbet asnjë orë mësimore, ta përmbyllim me sukses vitin shkollor, të sigurohemi që Instituti i Shëndetit Publik ashtu siç i ka decentralizuar qendrat e testimit të mbajë lart angazhimin që të ofrojë testime masive siç ka bërë deri më tash, të kërkojnë nga Shërbimi Spitalor të riorganizojë edhe njëherë kapacitetet spitalore për pacientët që eventualisht mund të kenë nevojë për shtrim në spital duke mos i cenuar shërbimet tjera në nivel të shërbimit spitalor dhe në anën tjetër ministri i Shëndetësisë të kujdeset për furnizim të rregullt edhe të Institutit, edhe të Shërbimit Spitalor dhe të koordinimit ndërinstitucional edhe më shtabet lokale që ta përmbyllim këtë pandemi.

Faleminderit edhe njëherë të gjithëve për angazhimin!