Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka zhvilluar një mëngjes pune me bizneset, të cilat i ka njoftuar rreth përfitimeve nga marrëveshja për nxitje të investimeve amerikane të nënshkruar më 31 dhjetor 2020.
Hoti pas takimit mes tjerash tregoi se qarkullimi i bizneseve ka qenë më i madh këtë vit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, njofton Klan Kosova.
“E them me kënaqësi se tash në muajin shkurt ne në bazë të vlerësimeve të statistikave edhe zyrtare se qarkullimi i bizneseve është më i madh se në janarin e vitit 2020 kur nuk ka pasur pandemi”.
“Ne jemi munduar që me masat tona për rimëkëmbje ekonomike t’ju qëndrojmë afër të vetëdijshëm që nuk ka qenë plotësisht e mjaftueshme por që në terma relativ si pako e rimëkëmbjes ekonomike që shkon mbi 5% të bruto produktit vendor kur merret edhe kjo pako e këtij viti është më e larta në rajon edhe me kontributin e mërgimtarëve ekonomia e Kosovës veç po e kalon atë krizën si rezultat i pandemisë”.
“Jemi në një situatë të re me këtë marrëveshjen e nxitjes së investimeve e cila ka hyrë në fuqi këto ditë, jam i bindur që kjo është një shkëputje e madhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës”.
Hoti mes tjerash këtë marrëveshje e quajti si të dytën më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë.
“Pas shpalljes së pavarësisë besoj se marrëveshja më e madhe që ka nënshkruar Kosova është ajo e vitit 2015 Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit e cila sjellë financim të vazhdueshëm për sektorin publik kryesisht nga Bashkimi Evropian dhe që na ndihmon edhe neve si institucione edhe bizneset private të përmbushin kushtet e nevojshme për integrim në BE”, tha Hoti.
“Kjo është marrëveshja tjetër më e rëndësishme që tani hap një perspektivë të jashtëzakonshme për financim edhe në sektorin publik edhe në atë privat”, tha Hoti.
Kryeministri në detyrë përmendi edhe përparësitë që ofron kjo marrëveshje për sektorin privat, me ç’rast tha se kjo mbështetje përfshinë çdo sektor dhe çdo ide, dhe vetëm qielli është kufizim.
“Për sektorin privat hapet një dritare e madhe për të financuar bizneset. Granatimi i investimeve, risigurimi i projekteve, financimi i studimeve të fizibilitetit janë disa nga mundësitë që ofron DFC në zhvillimin e ekonomisë në Kosovë në vitet në vijim. Shuma totale shkon në 1 miliard dollarë me maturitet 25 vjet. Kjo është mundësia më e madhe që ka pasur Kosova”, u shpreh ai.
Tutje Hoti bëri të ditur se për të marrë këtë ndihmë ka edhe kritere e që janë ndikimi në ekonomi, inovacioni dhe gjithpërfshirja.