Hoti: Lufta çlirimtare e popullit të Kosovës s’mund të gjykohet nga asnjë gjykatë

Kryeministri Avdullah Hoti, në fillim të mbledhjes së sotme të Qeverisë, ka folur për propozim-aktakuzën e ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Ashtu si në të kaluarën edhe tash institucionet e Kosovës kanë treguar dhe po tregojnë maturi dhe kulturë shtetërore në trajtimim e kësaj çështje. Ne mbesim në qëndrimin që lufta çlirimtare e popullit të Kosovës është e padiskutueshme dhe nuk mund të gjykohet nga asnjë gjykatë”.

“Ne vlerësojmë parimin elementar të drejtësisë të prezumimit të pafajësisë për secilin përderisa nuk kemi vendim përfundimtar të Gjykatës. Kosova, si në të kaluarën edhe tash, do të jetë e përgjegjshme karshi obligimeve kushtetuese, ligjore dhe ndërkombëtare si shtet”.

Hoti e ka informuar kabinetin qeveritar lidhur me vizitën e delegacionit kosovar në Bruksel, njofton Klan Kosova.

“Besoj që kemi pasë një vizitë mjaft të rëndësishme. Kemi marrë premtime që do të punojmë bashkë për t’u përballur me pandeminë, por edhe me rimëkëmbjen ekonomike. Presim në muajt e ardhshëm që të ketë një takim të nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor për ndihmë nga BE-ja për të përballuar çështjen e rimëkëmbjes ekonomike”.