Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, sot është pritur në takime të ndara nga Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, nga anëtarët e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, si dhe nga Grupi i Miqësisë për Kosovën, i cili përbëhet prej anëtarëve të Parlamentit Evropian.
Në këto takime me përfaqësuesit më të lartë të Parlamentit Evropian, kryeministri Hoti ka bërë thirrje që qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet sa më parë që të lëvizin lirshëm në Zonën Shchengen, duke theksuar se Kosova tashmë ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe po vazhdon ta ketë prioritet luftimin e korrupsionit dhe sundimin e rendit dhe të ligjit.
Kryeministri Hoti e ka njoftuar presidentin Sassoli për përkushtimin e qeverisë në zhvillimin ekonomik, luftimin e korrupsionit dhe fuqizimin e rendit dhe ligjit, si dhe për menaxhimin e situatës me pandeminë COVID 19. Ai falënderoi institucionet e BE-së për ndihmën e dhënë në përballimin e situatës me COVID 19.
Kryeministri Hoti e ka falënderuar presidentin Sassoli për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në rrugëtimin evropian, duke theksuar se Kosova është e përkushtuar në agjendën e saj evropiane dhe me vite ka vazhduar punën e saj për përmbushjen e të gjitha kritereve.
“Integrimi evropian dhe euroatlantik i Kosovës mbetet objektivi më i rëndësishëm strategjik për shoqërinë tonë. Vlerat evropiane janë mishëruar në shoqërinë tonë dhe këto vlera janë themeli i vendit tim”, ka thënë kryeministri Hoti.
Gjatë këtij takimi, Kryeministri Hoti përmendi çështjen e vizave duke shpresuar se kjo temë do të jetë në agjendën e Këshillit të Bashkimit Evropian gjatë presidencës gjermane dhe së shpejti do të përfundojë.
Po ashtu, Kryeministri Hoti, ka marrë pjesë në mbledhjen e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, të kryesuar nga z. David James McAllister. Në këtë komitet Kryeministri Hoti ju është drejtuar anëtarëve të Komitetit me një fjalim, ku ka shpalosur synimet e shtetit të Kosovës në rrugën drejt integrimeve euroatlantike, si dhe ka kërkuar nga deputetët e Parlamentit Evropian që ta mbështesin Kosovën në këtë drejtim.
Në vazhdën e këtyre takimeve, Kryeministri Hoti ka marrë pjesë si i ftuar special në takimin e parë të Grupit të Miqësisë për Kosovën në Parlamentin Evropian. Ky takim me eurodeputetë është organizuar nga eurodeputeti Lukas Mandle, të cilin kryeministri Hoti e falënderoi për angazhimin e tij në afrimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian me theks të veçantë në procesin e liberalizimit të vizave.