Kërkesën e partnerit të saj në Qeveri për pezullim të dialogut nuk do ta përfillë kryeministri Avdullah Hoti. Në ditën kur është bërë e ditur se Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar aktakuzën ndaj presidentit Hashim Thaçi e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të procesit të dialogut. “Qeveria duhet të ndërpresë menjëherë të gjitha aktivitetet që lidhen me procesin e dialogut me Serbinë, deri në një situatë të re”, thuhej në njoftimin e AAK-së pas mbledhjes së kryesisë të kësaj partie.
Por qëndrimi i ekzekutivit është tjetër. Në një përgjigje me shkrim nga ekzekutivi thuhet se dialogu me Serbinë nuk ka alternativë tjetër, ndonëse nuk kanë treguar se kur pritet të mbahet takimi i radhës.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, thekson se dialogu Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, nuk ka alternativë. Pezullimi i këtij procesi nuk u shërben interesave shtetërore të Republikës së Kosovës. Kosova dhe Serbia po dialogojnë për arritjen e marrëveshjes finale, me njohje reciproke, në kufijtë aktualë. Kryeministri Hoti rithekson se janë dy zgjidhje: ose mund ta mbajmë vendin e izoluar dhe të ankohemi në Prishtinë me deklarata e konferenca për shtyp, ose të shkojmë në Bruksel dhe të mbrojmë interesat shtetërore të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Kryeministrisë.
Ndërprerja e mundshme e procesit të dialogut me Serbinë, shkaku i zhvillimeve të fundit rreth Speciales, është duke u konsideruar e gabuar nga shoqëria civile. Arbër Fetahu, hulumtues në Grupin për Studime Politike dhe Juridike, thotë se një qasje e tillë do të ishte defanzive karshi Serbisë.
“Konsekuencat e hetimit të Dhomave të Specializuara nuk duhet të kishin efekt në qëndrimet e Kosovës ndaj BE-së dhe SHBA-së. Kosova duhet ta dëshmojë që është një shtet që politikën e saj të jashtme e ushtron mbi bazat e parimet dhe interesat e saj strategjike dhe bashkëpunimit e udhëzimit mes aleatëve ndaj ndërkombëtarëve. Çdo tendencë për ta ndryshuar kursin ndaj BE-së dhe SHBA-së duke e lidhur me procesin e hetimeve të Dhomave të Specializuar është e gabuar, kontraproduktive, madje autogol për Kosovën”, thotë ai.
Fetahu shton se e vetmja arsye që mund të çojë në ndërprerjen për pak kohë të dialogut me Serbinë është derisa të arrihet një konsensus i brendshëm politik për çështjet që trajtohen apo mund të jenë subjekt i bisedimeve në Bruksel.
Përveç AAK-së, vazhdimin e dialogut në këtë kohë nuk është duke e përkrahur as ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani. Në një konferencë për media, të martën, ajo ka thënë se vazhdimi i saj nuk do t’i bënte mirë Kosovës.
“Duke parë zhvillimet e fundit vazhdimi do ta vendoste Kosovën në një favor jo të mirë dhe definitivisht tani që ka pasur laramani qëndrimesh brenda koalicionit qeverisës dhe kam kërkuar që të rikonfirmohen qëndrimet politike, që forcat politike në Kosovë të ulen dhe të diskutojmë për secilën pikë. Mendoj që duke pasur parasysh që kjo të jetë marrëveshje finale për njohje reciproke është e domosdoshme që të kemi një përpjekje më të madhe për unfikim”, ka thënë Osmani, e cila ka shtuar se nuk e konsideron të arsyeshme bashkëngjitjen në një proces, pjesë e së cilit nuk ka qenë që nga fillimi.
Por dialogu e zhvillimet rreth Speciales nuk janë çështjet e vetme me të cilat AAK-ja, partnere në qeverisjen e kryeministrit Hoti, nuk pajtohet me pjesën tjetër të ekzekutivit.
AAK-ja është duke kundërshtuar edhe masat e reja, të propozuara nga Qeveria për parandalimin e COVID-19. Në një konferencë për media, pak orë nga prezantimi i masave të reja, deputetët e AAK-së, Albena Reshitaj dhe Arbër Tolaj, i kanë bërë thirrje Qeverisë që t’i rishikojnë ato derisa kanë bërë të ditur se janë kundër mbylljes totale, e cila, sipas tyre, është në dëm të ekonomisë.
Takimi i fundit mes Kosovës dhe Serbisë është mbajtur në nivel të ekspertëve, më 29 tetor. Këtë takim, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun me Serbinë, Miroslav Lajçak, e konsideroi “hap drejt marrëveshjes”, derisa shtoi se ishte raundi i dytë i bisedimeve për pretendimet e pronat. Sikurse edhe për takimet e tjera, asnjëra nga palët nuk shpalosi më shumë detaje. Kurse takimi i nivelit të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, e presidentit Aleksandar Vuçiq, për herë të fundit është mbajtur më 7 shtator. Një takim tjetër ishte paralajmëruar edhe për 28 shtator, por që i njëjti është shtyrë për një kohë të pacaktuar.