Hoti kërkoi nga kryetarët e komunave të mbajnë sistemin të mobilizuar përmes shtabeve lokale

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka mbajtur sot një takim online me kryetarët e komunave dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës, të cilët i ka falënderuar për bashkëpunimin e Shtabeve Lokale përmes Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit  Kombëtar të Shëndetit Publik , Shërbimit Spitalor dhe institucioneve të tjera që kanë qenë të përfshira.

“Jo ndoshta çdo gjë ka funksionuar si duhet, por puna që është bërë përmes Shtabeve Lokale dhe përmes përfshirjes së drejtpërdrejtë të kryetarëve të komunave në menaxhimin e situatës besoj se ka dhënë rezultate te jashtëzakonshme”, ka theksuar Hoti.

Ai tha se Kosova është përballur me këtë situatë me shumë të panjohura, sikur çdo vend tjetër në botë, por theksoi se gjatë këtyre muajve kanë mësuar që të menaxhojnë më mirë me situatën.

“Kemi riorganizuar sistemin shëndetësor dhe institucionet tjera për t’i dalë në ballë kësaj pandemie dhe jemi këtu ku jemi.  E them me kënaqësi që është arritur që përmes Ministrisë, Institutit, Shërbimit Spitalor, Shtabeve Lokale, Qendrave të Mjekësisë Familjare dhe institucioneve tjera, të menaxhohet  situata dhe në bazë të indikatorëve ndërkombëtarë, jemi ndër vendet që e kemi menaxhuar relativisht mirë këtë situatë”.

Më tej, Hoti tha se ndihet mirë që bashkë me kabinetin, asnjëherë nuk janë sfiduar për mungesë të buxhetit ose të angazhimit të resurseve të nevojshme për t’i dalë ballë kësaj pandemie, megjithëse resurset kanë qenë të kufizuara.

Ai po ashtu ka njoftuar se tashmë është rregulluar përfundimisht furnizimi me oksigjen nëpër spitale dhe klinika të ndryshme, janë shumëfishuar kapacitetet testuese dhe sot asnjë person që ka nevojë të testohet nuk mbetet pa u testuar dhe është punuar qe sa kohë në sigurimin e vaksinës për të cilën ka pasur kritika publike krejtësisht të pabazuara.

“Ajo që ka ndodhur në regjion janë vaksina që kanë ardhur nga vendet e lindjes pa ju përmend fare emri që nuk janë të certifikuara dhe që nuk ju kanë kryer protokollet e nevojshme. Ne nuk kemi hyrë në ato lojëra që të sigurojmë vaksina veç sa për imazh publik”.

Po ashtu, ai tha se për disa ditë do të vijën furnizimet e para me vaksina dhe për këtë bërë strategjia e imunizimit, janë njoftuar kryetarët e komunave në detaje, janë identifikuar edhe personat, grupmoshat e caktuara që do të imunizohen qysh në fillim.

Hoti kërkoi nga kryetarët e komunave që të mbajnë sistemin plotësisht të mobilizuar përmes shtabeve lokale, tash në kohën kur jemi në javët dhe muajt e fundit të menaxhimit të kësaj pandemie dhe t’ju ofrohen shërbime të nevojshme personave që janë të izoluar në shtëpi.