Hoti: Kandidati për kryeministër caktohen nga LDK-ja, jo nga studiot apo rrjetet sociale


Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka reaguar për kritikat që po shkojnë në adresë të LDK-së, si e vetmja parti e madhe që ende nuk është përcaktuar se më kë do të kandidojë për kryeministër në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen shumë shpejt.

Hoti përmes një reagimi në Facebook, ndër të tjera ka përmendur edhe vrasjet e zyrtarëve politikë të LDK-së pas luftës, gjë që përmendet në çdo fushatë zgjedhore, por që deri më tash asnjë qeveri nuk i ka zbardhur ato, përfshirë edhe Qeverinë Hoti.

“Kandidati për kryeministër i LDK-së caktohen nga LDK-ja, jo nga studiot apo rrjetet sociale. LDK-ja nuk është vetëm parti, por edhe shkollë e të menduarit politik, që e ruan kursin e zhvillimit demokratik dhe euro-integrues të Kosovës. LDK-ja i ka mbijetuar kohës së represionit serb, duke organizuar institucionet e Republikës së Kosovës. LDK-ja i ka mbijetuar një gare të egër politike në vitet e pasluftës, kur zyrtarët e saj janë vrarë, por e ka ruajtur kursin e zhvillimit demokratik të Kosovës”, ka shkruar Hoti.

Ai, qeveria e të cilit u rrëzua me aktgjykimin Kushtetueses, ka thënë se

LDK-ja tash e ka sfidën e radhës, e që sipas tij, është të mos e lë Kosovën të rrëshqasë drejt autokracisë, izolimit dhe regresit.

“LDK-ja nuk është perfekte, por është vlerë për Kosovën. Dhe do ta fitojë edhe këtë sfidë, jo për veten e saj, por për Kosovën. Është obligim i LDK-së që gjeneratat e reja të zhvillohen duke u mësuar me tolerancën dhe demokracinë, me vlera njerëzore dhe evropiane, e jo me antivlera, militantizëm, dhunë dhe autokraci”, ka shkruar Hoti.