Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti thotë se i ka pranuar me shqetësim veprimet e Bordit të përkohshëm të Telekomit të Kosovës, në një situatë të vështirë financiare të kësaj ndërmarrjeje publike të rëndësisë strategjike për vendin.
Hoti po ashtu ka thënë se vërejtjet e ngritura edhe nga Sindikata e Telekomit janë shqetësuese për Qeverinë si aksionar.
“Qeveria e Republikës së Kosovë nuk e mirëpret aspak këtë veprim të Bordit të Telekomit. Vërejtjet e ngritura edhe nga Sindikata e Telekomit janë shqetësuese për Qeverinë si aksionar. Qeveria është e vendosur që të mos lejojë degradimin e mëtejmë të kësaj ndërmarrjeje me rëndësi strategjike për vendin. Prandaj, në cilësinë e aksionarit, Qeveria do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm institucionalë për të ndaluar veprimet e tilla dhe për të siguruar kushte për rimëkëmbjen e Telekomit të Kosovës”, ka thënë kryeministri Hoti.
Ndërkohë, mbrëmë Federata Sindikale e Pavarur e PTK-së (FSP-PTK) ka njoftuar se ka shkëputur të gjitha marrëdhëniet me Bordin e përkohshëm të Telekomit dhe se nuk e njeh atë si bord.