Hoti-Haradinajt: Ky vend ka vetëm një kryeministër, nuk kam asnjë dyshim për ta udhëhequr dialogun

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se ky proces nuk është teknik dhe do të përfundojë vetëm me njohje reciproke. 

Hoti gjithashtu ka komentuar deklaratat e kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt, i cili ka thënë se nuk i beson kryeministrit për ta udhëhequr këtë proces. 

“Ne kemi një marrëveshje qeverisëse, aty e kemi të caktuar edhe kapitullin për dialogun. Unë po e zbatoj marrëveshjen plotësisht. Dialogu zhvillohet vetëm për njohje reciproke”.

“Nuk ka dialog teknik. Haradinaj i ka të gjitha informacionet për procesin e dialogut me Serbinë. Ai e di që unë e zhvilloj dialogun në bazë të Kushtetutës dhe nuk e kam asnjë dyshim për të udhëhequr këtë proces. Ky vend e ka vetëm një kryeministër. Unë veproj në përputhje me marrëveshjen e koalicionit”, ka thënë Hoti në Rtv Dukagjini.