Hoti: FSK është emblema më e mirë e shtetësisë së Kosovës

Në Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka lavdëruar pjesëtarët e kësaj force, duke thënë se janë imazhi më i mirë i shtetësisë së Kosovës dhe se gjatë muajve të rëndë të këtij viti e kanë dhënë me sukses provimin e tyre para qytetarëve dhe shtetit, duke marrë pjesë aktive në luftën e përbashkët ndaj pandemisë.

“Në ditën e FSK-së, në emër të Qeverisë shpreh mirënjohje dhe falënderim gjithë vendeve mike që e kanë ndihmuar fuqishëm rritjen edhe perfeksionimin e FSK-së, dhe sot fal ndihmës së tyre FSK është institucion që na bën krenar të gjithë në. FSK është emblema më e mirë e shtetësisë së Kosovës”.

“FSK do të jetë ushtri moderne dhe profesionale, e cila do të avancojë krahas vendeve tjera që të jetë përherë e gatshme për të garantuar paqen, sigurinë e gjithë qytetarëve”.

“Qeveria ka plane të detajuara për të ardhmen e FSK-së dhe për transformimin e saj”.

“Ushtria jonë do të zhvillohet sipas standardeve më të larta që të jemi edhe pjesë e misioneve paqësore kudo në botë”, deklaroi Hoti.

Në fjalimin e mbajtur gjatë kësaj ceremonie, kryeministri foli edhe në lidhje me dialogun me Serbinë, duke thënë se ai duhet të përmbyllet vetëm me njohje reciproke mes të dyja vendeve dhe se çështja e të zhdukurve është njëra ndër temat më të rëndësishme.

“I bëjmë thirrje BE-së dhe vendeve mike që të shtojnë presionin ndaj Serbisë që Beogradi të mos pengoje kërkimet për gjetjen dhe zbulimin e varrezave masive atje. Ky është borxh moral ndaj familjeve të viktimave që kanë të drejtë të dinë për fatin e më të dashurve të tyre, por është edhe kusht mirëbesimi mes dy popujve, e që kjo është në interes të gjithë rajonit”, u shpreh Hoti.