Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se fjalimi i nënkryetares, Arbërie Nagavci, e cila tha që të pagjeturit i barazuan me të zhvendosurit brenda territorit në Marrëveshjen e Ëashingtonit, ishte më i ligi që ka dëgjuar në Kuvend.
“Ky është ndër fjalimet më të liga që kam dëgjuar në këtë Kuvend prej se jam deputet, ministër, ose kryeministër para juve”, tha shkurt Hoti në foltore, njofton Klan Kosova.
Në replikën e saj Nagavci tha se i ligë është dëmi që Qeveria e Hotit po ia bën familjeve të të pagjeturve.
“I ligë dhe i turpshëm është dëmi që ju i keni bërë të pagjeturve kur keni nënshkruar një paragraf të 4 shtatorit. E ligë është situata në raport me familjet e të pagjeturve. Është mirë t’i dëgjoni familjarët e të pagjeturve dhe nënave të tyre”.
Në Kuvendin e Kosovës po mbahet interpelancë për çështjen e të pagjeturve të propozuar nga deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci.