Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, siç duket i ka lënë pak anash inatet politike me Vjosa Osmanin, ushtruese e detyrës së presidentit.
Ai me anë të një postimi në Facebook, ka njoftuar se e ka telefonuar Osmanin për t’i uruar shërim të shpejtë nga COVID-19, shkruan lajmi.net.
Madje, Hoti ka përmendur edhe çështjen e emërimit të djalit të Haxhi Shalës si konsull në Çeki të Pragës, teksa ka shtuar se qeveria do të përmbyllë së shpejti analizën e rishikimit funksional të rrjetit të misioneve diplomatike.
“Mbi bazën e kësaj analize, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme: (1) për të siguruar funksionim efikas të misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës; dhe (2) përbërja e misioneve diplomatike të jetë në përputhje me ligjin”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë i Hotit:
Sot, në një bisedë telefonike, i kam uruar shërim të shpejtë Kryetares së Kuvendit dhe ushtrues së detyrës së Presidentes, znj. Vjosa Osmani.
E njoftova znj. Osmani se Qeveria e Republikës së Kosovës do të përmbyllë së shpejti analizën e rishikimit funksional të rrjetit të misioneve diplomatike të Kosovës. Mbi bazën e kësaj analize, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme: (1) për të siguruar funksionim efikas të misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës; dhe (2) përbërja e misioneve diplomatike të jetë në përputhje me ligjin.