Hoti e quan qeverinë stabile, Mustafa ka tjetër mendim: Kemi nevojë për institucione të fuqishme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, sot gjatë ditës deklaroi se Kosova aktualisht ka nevojë për institucione stabile dhe të fuqishme. 

Gjithashtu, i pari i LDK’së tha se në ditët në vazhdim, do të angazhohet që të bisedojë me të gjithë ata që kanë gatishmëri, për të forcuar shtetin dhe funksionalitetin e Kosovës.

“Ne këto rrethana Kosova ka nevojë të sigurojë institucione stabile dhe të fuqishme, të mbështesë institucionet e drejtësisë, vendore dhe ndërkombëtare, një drejtësie të pavarur dhe të pandikuar, sikurse edhe të mbështesë njerëzit e saj që ballafaqohen me drejtësinë deri në përfundimin e saj, sepse deri atëherë fajësia e tyre është vetëm e presypozuar”, është shprehur Mustafa. 

“Në ditët në vijim do të bisedojmë me të gjithë që kanë gatishmëri, jo për të forcuar pushtetin individual apo partiak por, për të forcuar shtetin e Kosovës dhe funksionalitetin e tij”, ka thënë Mustafa. 

Gjatë javës, mediat kanë raportuar për një bashkëngjitje të mundshme të PDK’së me qeverinë aktuale, e cila qeveriset nga koalicioni LDK, AAK, Nisma dhe Lista Serbe. 

Por, një ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, njëherësh edhe nënkryetari më i ri i LDK’së, tha se qeveria është stabile. 

“Gjithmonë e dini qasjen time se si i trajtoj këto gjëra, nuk përgjigjem asnjëherë në pyetje hipotetike, qeveria është stabile, presidenti është me mandat të plotë”, kishte deklaruar Hoti, në pyetjen se a ka mundësi që PDK’ja t’i bashkohet koalicionit qeverisës.

Ndërkohë që analisti Imer Mushkolaj beson se qeveria aktuale nuk është stabile pavarësisht se Hoti pretendon të kundërtën. 

“Qeveria aktuale nuk është stabile, nuk ka numra të mjaftueshëm për të çuar përpara çështje të rëndësishme pavarësisht se Hoti pohon te kundërtën”, ka thënë Mushkolaj për Express. 

“Se çfarë stabiliteti e sa numra ka ky koalicion qeveritar më se miri e dëshmon dështimi për t’i votuar në Kuvend disa marrëveshje shumë të rëndësishme dhe zvarritja për votimin e buxhetit të rishikuar, që po ndikon direkt në mirëqenien e qytetareve, shkaku i mungesës së parave për të zbatuar pakon emergjente”, është shprehur Mushkolaj. 

Tutje, Mushkolaj thotë se për cështje të koalicionit nuk vendos Hoti fare, por shefi i partisë – Mustafa. Ai tha se Mustafa i bëri thirrje tërthorazi PDK’së që të bëhet pjesë e koalicionit, e madje nëse një gjë e tillë ndodhë, PDK’ja mund ta marrë edhe pozitën e presidentit. 

“Për çështje të koalicionit nuk vendos Hoti, por Mustafa. Mustafa sot tërthorazi i bëri thirrje PDK’së që të bëhet pjesë e koalicionit. Është e mundur që, nëse i konfirmohet aktakuza dhe presidenti Thaçi jep dorëheqje, PDK t’i bashkohet koalicionit dhe, rrjedhimisht, përvec  hises në qeveri, ta marrë edhe pozitën e presidentit”, shtoi Mushkolaj. 

Kujtjomë se Lëvizja Vetëvendosje aktualisht po organizon një peticion me anë të së cilit po kërkon që të mbahen zgjedhje. 

Derisa Mustafa në shkrimin e fundi tha se “Ata që duan zgjedhje, nuk ia duan të mirën Kosovës”.