Avdullah Hoti tashmë është zyrtarisht i nominuari i LDK-së për kryeministër të Republikës së Kosovës, pas një përvoje të gjatë e të suksesshme në institucionet e vendit. Me vendimin e sontëm të Gjykatës Kushtetuese atij i hapet rruga për t’u bërë kryeministri i tetë i Republikës së Kosovës.
Hoti kishte qenë zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë Kurti, pastaj shef i Grupit Parlamentar të LDK-së gjatë legjislaturës së VI të Kuvendit, dhe ministrit të Financave ku ishte vlerësuar si ministri më i suksesshëm.
Po ashtu, z.Hoti kishte qenë kandidat për kryeministër në vitin 2017 dhe kishte arritur që t’i fitonte 115 mijë e 600 vota, shkruan Periskopi.
Por, cila është pasuria e tij e përbashkët me familjen e tij?
Z.Hoti u bë i njohur vitet e kaluara kur pësoi një aksident jo të rëndë komunikacioni dhe publiku u njoh me veturën e tij.
Ajo ishte një Opel Vectra e vitit 1998.
Sidoqoftë, Avdullah Hoti në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) ka deklaruar në pronësi edhe tri banesa të vogla. Njëra me 67 metra katrorë e blerë më 2010, tjetra vetëm 57 metra e blerë më 2015 dhe e fundit 69 metra e blerë më 2018.