Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për media ka thënë se do ta pranojë vendimin e Kushtetueses, e cila e shpalli jokushtetuese Qeverinë Hoti.
“Vendimi i Kushtetueses u bë publik. Unë e pranoj plotësisht dhe do ta respektojë pa asnjë diskutim. Nuk do të lëshohem në deklarata për këtë vendim të Kushtetueses. Më vjen mirë që Kushtetuesja e ka sqaruar. Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Ne do të vazhdojmë punën tonë. Është obligim kushtetues të përfillen procedurat për shpalljen e zgjedhjeve. Do t’i kryejmë obligimet tona. Siguroj qytetarët dhe partnerët tanë, bizneset, do të jemi në krye të detyrës, sidomos me menaxhimin e situatës me pandeminë”, tha Hoti.
Hoti gjithashtu ka bërë thirrje të mos shpërbëhet Kuvendi pa u votuar Buxheti për vitin 2021.
“Përpara kemi punë të rëndësishme edhe buxhetin. Bëj thirrje që Kuvendi të mos shpërbëhet pa u votuar buxheti për vitin 2021. Një pjesë e buxhetit bazohet në disa marrëveshje ndërkombëtare. Prej që Kuvendi të miratojë buxhetin dhe këto marrëveshje ndërkombëtare. Do të vazhdojmë punën sipas planin, si qeveri në detyrë. Do të zbatojmë pakon e rimëkëmbjes ekonomike dhe në janar, presim të vazhdojmë pakon për vitin 2021. Të gjitha ministritë do të vazhdojnë punën sipas agjendës shtetërore, asnjë punë s’do të mbetet mbrapa”, tha Hoti.
Hoti gjithashtu tha se do të ketë konsultime brenda Lidhjes Demokratike, për të ardhur deri te emri i një kandidati për president.